1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Hoti: Marrëveshja e Ohrit është më e keqja për Kosovën

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër është ujdia më e keqe që ka pasur mundësi t’i imponohet Kosovës.

Hoti, po ashtu, ka akuzuar kryeministrin Kurti se nuk e ka mbajtur dialogun në binarët e njohjes reciproke.

“Unë i kam dhënë vërejtjet e mia, i kemi dhënë që nga fillimi i mandatit i kësaj qeverie vërejtjet tona si parti opozitare, që të punojnë me partnerët ndërkombëtarë, që dialogu të mbahet në binarët e njohjes reciproke. Kur e ka marrë mandatin kjo qeveri, dialogu ka dalë nga binarët, mandej nga zhvillimet në veri fokusi i ndërkombëtarëve u kthye në menaxhimin e situatës atje dhe jo në synimin kryesor”, ka thënë Hoti.

“Kurti dhe Osmani janë dy persona përgjegjës për këtë marrëveshje, është ujdia më e keqe që ka mundur ta imagjinojë dikush”

Hoti ka thënë se kryeministri Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani, janë personat përgjegjës për arritjen e marrëveshjes në Ohër, në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se është marrëveshja më e keqe që ka mundur ta imagjinojë dikush.

Hoti ka thënë se të dy kanë mundësuar të arrihet një marrëveshje që e ka betonuar një status-quo të re.

“Për fajin e Kurtit, për idetë e tij që duhet të zhbëhet çdo gjë që është bërë në të kaluarën. Nuk e kemi njohjen, tashmë Serbia nuk ka presion për të njohur Kosovën, krejt presioni ndërkombëtar ka qenë te njohja reciproke, Kurti dhe Osmani e kanë mbërritur një marrëveshje që ka betonuar një status quo të re”, ka vijuar ai.

Sipas tij, me qeverisjen Kurti, dialogu natyrshëm doli nga binarët, teksa është shprehur se Kosova ka arritur deri këtu falë mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë.

“Ne e kemi shpallur pavarësinë e koordinuar me ndërkombëtarët, po dëshiroj të theksoj nevojën që ka të bëjë me lidhjet e ngushta dhe këshillat me partnerët ndërkombëtarë për synimin përfundimtar në dialog”.

Ai ka thënë se në Qeveritë paraprake, dialogu ka qenë i strukturuar dhe parashihej të mbyllej me njohje reciproke.

“Tashmë kemi hyrë në rrugë pa krye, në qeverinë paraprake dialogu ka qenë i strukturuar, unë e di që do ta kishim mbyllur dialogun me njohje reciproke. Është arritur një marrëveshje që ka krijuar një status quo të re pa njohje reciproke, i cili është kundërshtuar dhunshëm nga ky kryeministër”, tha Hoti./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img