I pari i qeverisë Avdullah Hoti thotë se qeveria që ai drejton është stabile, ndërsa sipas tij, ligji për rimëkëmbje ekonomike është përgjegjësi edhe e opozitës.
“Mund ta vëreni nga punët që janë bërë deri më tani. Kemi vështirësi dhe kemi pasur dy-tre muajt e fundit për shkak të mungesës së deputetëve në seancat e Kuvendit, jo vetëm të pozitës por edhe të opozitës. Por nga veprimet që kemi ndërmarrë, besoj që evidencë e qartë e stabilitetit edhe e një plani pune që e kemi të dakorduar me krejt partnerët e koalicionit”, tha Hoti për RTK-në.
Por pse nuk po votohet ligji për rimëkëmbje ekonomike?
“Është një çështje tjetër e kësaj pakos sonë për rimëkëmbje ekonomike. Te kjo e para besoj se kemi treguar shumë rezultate. Kemi themeluar fondin me rishikim të buxhetit për rimëkëmbje ekonomike që nuk lidhet me këtë ligj”, shpjegoi ai.
Sipas tij me votimin e këtij ligji, kompensohet i gjithë dëmi që i është bërë Kosovës nga Covid-19.
“Është tepër i nevojshëm sepse i jep një infuzion financiar shtesë përveç 365 milionëve, i jep një infuzion shtesë ekonomisë, qytetarëve edhe për një 350 milionë tjerë. Me këtë ligj ne e kompensojmë plotësisht ekonominë për ndikimin negativ që ka ardhur si rezultat i pandemisë”, theksoi Hoti.
Thotë se komentet e opozitës mirëpriten.
“Kemi shpreh gatishmërinë e plotë si koalicion qeverisës që të ulemi bashkë me opozitën dhe të përfshijmë në ligj gjatë dy leximeve të gjitha komentet që mund t’i ketë opozita.