Kryeministri Albin Kurti është duke marrë pjesë në Forumin e Prespës, ku mes të tjerash po prezanton edhe situatën në veri të vendit.
Kësaj vizite të Kurtit i ka reaguar ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka thënë se derisa serbët po i kidnapojnë policët kosovarë, Kurti po ankohet në Forum të Prespës, në vend se të jetë në komunikim me ndërkombëtarët.
Sipas tij, kryeministri duhet të japë dorëheqje menjëherë.
“Tre zyrtarë policorë ia kanë kidnapuar brenda territorit të Kosovës. Në vend që të jetë 24 orë në komunikim me partnerët ndërkombëtarë derisa të lirohen ata, si dhe të siguroj mbështetje ndërkombëtare për dënimin e Serbisë për këtë akt agresioni, Kryeministri ligjëron e ankohet në Forumin e Prespës. Ky kryeministër i papërgjegjshëm duhet të dorëhiqet menjëherë” ka thënë Hoti në një postim në llogarinë zyrtare të tij në Facebook.