Site icon PrishtinaPress

Hoti kthehet nga Brukseli – në aeroport i bëhet kontrolli për COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është kthyer nga Brukseli, ku atje ka zhvilluar një takim me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Hoti ka njoftuar se pasi ka zbritur në aeroport atij i është bërë kontrolla për COVID-19,  sikur çdo udhëtari tjetër që arrin në Kosovë.

“Sapo zbritëm në aeroportin Adem Jashari në Prishtinë, doktorresha e Komunës së Fushë Kosovës na bëri kontrollën rutinore, sikur çdo udhëtari tjetër që arrin në Kosovë. E falënderoj atë dhe të gjithë stafin shëndetësorë në gjithë Kosovën për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm”, ka shkruar ai në Facebook.

Kryeministri ka thënë se qytetarët duhet të mbajnë maskat mbrojtëse, distancën dhe higjienën personale.

“Të kujdesemi për veten dhe familjet tona, që mjekët tanë ta kenë më të lehtë. Maska – Distanca – Higjiena personale”.

Ndryshe, dje Hoti ka njoftuar se në takim me Vuçiqin kanë biseduar për çështjen e të pagjeturve dhe zhvillimin ekonomik.

“Pas 20 muajsh, sot e rifilluam procesin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Njohja reciproke dhe normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve janë parimet bazë dhe qëllimi përfundimtar i këtij procesi. Me kërkesën tonë, dy temat e takimit të parë ishin personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Për ne tek ekonomia përfshihen edhe kompensimi i dëmeve të luftës, suksesioni, borxhi shtetërorë, pensionet, kursimet në banka, pagat e humbura të punëtorëve të larguara nga puna, dëmtimet e pronës private dhe çështje të tjera që do të vazhdojnë të diskutohen në takimet e ardhshme. Jemi të vendosur që çështja e të pagjeturve të mbyllet sa më shpejt, sepse ndjejmë obligim moral ndaj familjeve të tyre”, kishte thënë Hoti.

Exit mobile version