Serbisë i është bërë favor i madh me moskërkim të njohje së shtetësisë së Kosovës, ka thënë ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili vlerëson se “dialogu ka dalë prej binarëve” me Qeverinë e Albin Kurtit. Një kahje e tillë e dialogut është “dëmi më i madh që i është bërë Kosovës që nga Pavarësia e së këndejmi”, ka vazhduar të vlerësojë Hoti në një intervistë për “ATV” ku foli gjerësisht për Dialogun e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve.
Madje, mes tjerash, Hoti shpresat i vë te aleatët parësorë ndërkombëtar që “nuk heqin dorë” nga shtetësia e Kosovës, ngase, sipas tij, “sa i përket kësaj qeverie, s’e kam as minimumin e besimit që këta kanë ndonjë vijë të kuqe”.
“Në Qeverinë që kam udhëhequr unë Dialogu ka qenë vendosaur në binarë që shpiejnë në njohje të ndërsjellë të dakordësuar me partnerët tonë; ndërsa në këtë Qeveri dialogu ka dalë prej binarëve të njohje së ndërsjellë. Është në një rrugë tjetër dialogu, rrugë që nuk çon në njohje të ndërsjellë”, ka vlerësuar deputeti Hoti, derisa shtoi se tashmë po shkohet drejt vetëmenaxhimit për komunitetin serb të Kosovës dhe drejt një statusi special për Kishën Ortodokse Serbe. E tëra kjo, sipas Hotit, është e paqartë dhe një rrugë e gjatë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, shto atë që Serbisë nuk i kërkohte njohja e shteti të Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje Bazë për normalizim të marrëdhënieve pa njohje të ndërsjellë dhe jo gjithpërfshirëse e as përfundimtare. Madje, prej në Preambulë palët pajtohen për të mos paragjykuar çështjet e statusit. Kjo ka qenë njëra nga pikat që Lidhja Demokratike e Kosovës i ka identifikuar si problematike, ku madje e vlerëson edhe për më të keqe se fusnota, ku së paku i bëhej referencë verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.