Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se përfshirja amerikane në dialog me Serbinë e ka ndryshuar dinamikën e negocimit. Kësisoj, qëndrim i sekretarit Pompeo dhe angazhimet e ambasadorit Grenell se sovraniteti i Republikës së Kosovës është tepër i rëndësishme për të ardhmen e rajonit dhe se Marrëveshja për Paqe mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me njohjen reciproke, janë garanci për pozitën tonë negociuese dhe synimet tona në këtë dialog.
Hoti ka deklaruar se dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës, e cila bartë legjitimitetin politik të deleguar nga Kuvendi i Kosovës, duke shtuar më tej se përfshirja sa më e shpejt jep kohë për negocim më të favorshëm për Marrëveshjen përfundimtare.
Tutje në shkrimin e bërë në llogarinë e tij zyrtarë në Facebook, Hoti ka pohuar se tarifa mbi mallrat serbe dhe boshnjake është pengesë e pa kapërcyeshme për komunitetin ndërkombëtar, SHBA dhe BE.
“Çdo shtyrje për heqjen e tarifës komprementon seriozisht pozitën tonë negociuse në këtë dialog, dëmton raportin tonë me SHBA dhe BE, si dhe rrezikon një izolim për Qeverinë dhe vendin”, ka shkruar Hoti.
Më tej, ai ka theksuar se asnjë masë e jona e një anshme nuk mund të mbroj apo avancoj pozitën tonë nëse ajo nuk mbështetet nga SHBA dhe BE.
Si përfundim, zëvendëskryeministri ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të heqë tarifën famoze dhe kështu të ulet barabarsisht dhe me miqtë e saj në tryezën e dialogut, dhe se çdo alternativë tjetër rrezikon seriozisht të ardhmen e vendit.