Presidenti francez, François Hollande njoftoi këtë të enjte se nuk do të kërkojë një mandat të dytë në krye të “Elizesë” në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Një lëvizje e konsideruar e paprecedentë kjo, pasi nga ky moment hapet edhe gara për një kandidat të së majtës franceze.
“Sot jam i ndërgjegjshëm për rrezikun e sipërmarrjes së një rruge, gjatë së cilës nuk do të siguroja mbështetje të mjaftueshme, ndaj kam vendosur të mos jem kandidat i së majtës në zgjedhjet presidenciale”, ka thënë Hollande, me një portret të zymtë gjatë një fjalimi televiziv.
Të gjitha sondazhet e fundit kishin parashikuar se, as Hollande dhe as ndonjë kandidat tjetër socialist nuk do të mund të siguronte triumfin në raundin e parë të zgjedhjeve. Ato parashikojnë gjithashtu një betejë të ashpër mes kandidatit të qendrës së djathtë, François Fillon, si dhe udhëheqëses së Frontit Nacional, të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.
E majta franceze është thellësisht e ndarë në prag të këtyre zgjedhjeve. Disa socialistë të tjerë, përfshi ish-ministrin e Ekonomisë, Arnaud Montebourg, kanë thënë se do të marrin pjesë në primaret partiake në janar. Një tjetër ish-ministër i Hollande, Emmanuel Macron, si dhe nxitësi i trazirave tek e majta, Jean-Luc Melenchon, kanë njoftuar se do të garojnë për president, por pa marrë pjesë në primaret e partisë, duke qenë kandidatë të pavarur.
Gjithashtu ka pasur tensione mes Hollande dhe kryeministrit të tij, Manuel Valls, i cili dha shenjat e para gjatë një interviste të fundjavës se mund të garonte në primaret e partisë kundrejt udhëheqësit të tij aktual, transmeton TCh.
Hollande mposhti konservatorin Nicolas Sarkozy në zgjedhjet e majit 2012, pas një fushate klasike të së majtës në të cilën u shënjestruan bizneset e mëdha dhe u angazhua për të rritur taksat për ata që fitonin më shumë. Por, popullariteti i tij nisi shumë shpejt të binte, për shkak të perceptimit të mungesës së lidershipit dhe ngecjeve për një sërë çështjesh kryesore, si reforma e taksave, ndërkohë që u minua më fuqimisht nga papunësia tejet e lartë dhe rritja anemike ekonomike.