Site icon PrishtinaPress

Historitë e ndara në librat shkollorë të Kosovës e Serbisë

Në librat e historisë së shkollës fillore dhe të mesme të Serbisë nuk mund të gjesh shumë për luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Ajo çka përmbajnë tekstet janë më tepër krime të pretenduara se janë kryer nga shqiptarët.

Po ashtu, në librat shkollorë të nivelit fillor, nga klasa 5 e deri në klasën 12 në Kosovë, paraqesin më shumë vetëm krimet e kryera nga forcat serbe.

Kërkimet në internet gjithashtu shfaqin versione tejet të kundërta për të mësuar historinë.

Studimi “Lufta e Kosovës 1998-1999 në librat shkollorë të historisë në Kosovë dhe në Serbi” i realizuar në vitin 2019 nga hulumtuesi Shkëlzen Gashi, konkludon që ka dallim të madh në trajtimin që i bëhet luftës së Kosovës në librat shkollorë në të dy vendet.

“Librat shkollorë të të dy palëve theksojnë vetëm krimet e kryera nga pala tjetër, duke e paraqitur veten si viktimë dhe tjetrin si agresor”, thotë Gashi.

“Tekstet në gjuhën shqipe në Kosovë paraqesin vetëm krimet e serbëve ndaj shqiptarëve. Ndërsa ato në gjuhën serbe po ashtu vetëm krimet e shqiptarëve ndaj serbëve”, shton Gashi.

Në tekstet shkollore, sidomos të nivelit fillor, në disa pjesë paraqiten ngjarje me përshkrime si “sulme të bandave të shqiptarëve vendas”, “terror shqiptar ndaj serbëve”, ose “plaçkitja dhe konfliktet e grupeve terroriste me forcat e rendit”.

Në tekstet shkollore shqiptare gjithashtu përshkruhen më shumë krimet e kryera gjatë luftës, por jo edhe fakti se pati viktima edhe në anën tjetër.

Gashi thekson se librat shkollorë kanë krijuar një ambient mosmarrëveshjeje dhe janë të mangët sa i përket historisë së plotë.

“Në Kosovë nuk thuhet asnjë fjalë për avokuesit e zgjidhjes paqësore e as ndarja mes qëllimeve paqësore dhe ushtarake të politikës në Kosovë”, thotë Gashi.

Qasjet ndaj së kaluarës dhe mësimeve të saj janë ende një temë diskutimi, përderisa palët vazhdojnë të mbesin tërësisht të ndara dhe palët ende mbesin të palëkundura në versionet e tyre.

Dubravka Stojanoviq, profesoreshë e Historisë në Universitetin e Beogradit, thotë se sistemi arsimor në Kosovë dhe ai në Serbi duhet ta ndalojnë përhapjen e urrejtjes.

“Fatkeqësisht, disa nga temat shkollore janë shpallur si ‘tema identiteti’. Kjo do të thotë se nuk janë lëndë arsimore, por ideologjike. Kjo dukuri duhet të ndalet, ngase nxënësit nuk do të marrin edukimin e duhur, por dogma propagandistike”, thotë Stojanoviq.

“Kështu, ata nuk mund të bëhen qytetarë të vendeve demokratike, por thjesht objekt i liderëve autokratikë”, shton ajo.

Përveç historisë së lidhur me politikën, tekstet e reja shkollore i japin më shumë hapësirë ndikimit social dhe kulturor të ngjarjeve historike.

Stojanoviq thotë se tekstet shkollore të të dy vendeve ende vuajnë nga përdorimi i retorikës nacionaliste.

“Rishikimi i historisë në tekstet shkollore mund të jetë fillim i normalizimit të raporteve, nëse jo i pajtimit. Kemi nevojë për mendimtarë kritikë, e jo robotë”, thotë ajo.

Nga vitet ’90-të, sistemi arsimor pati një rol thelbësor në formimin e historisë politike në Kosovë e Serbi, kur ai u nda sipas vijave etnike. Pasi represioni serb mbi popullatën shqiptare të Kosovës u rrit, palët hoqën gjuhën dhe historinë e njëri-tjetrit nga planprogramet e tyre.

Historiani Shkodran Imeraj, bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Historisë, mohon prezantimin e njëanshëm të historisë.

“Historia e Kosovës në tekste është e ndërtuar mbi të vërtetën dhe në krahasim me historiografinë e vendeve të rajonit, është shumë më e argumentuar”, thotë ai.

“Nuk ka falsifikime nëpër periudhat e ndryshme, ashtu siç kanë vepruar serbët në studimet e tyre për historinë dhe për popujt e tjerë në Ballkan”, shton ai.

Iva Gajiq, një gazetare në Beograd, thotë se në shkollën fillore dhe të mesme në klasën e saj nuk u mësua shumë për vitet e ‘90-ta dhe luftërat që ndodhën.

“Mësuam për Kosovën (dhe Metohinë siç shkruhet në çdo libër të Serbisë), por vetëm për luftëra që ndodhën shekuj më parë”, thotë ajo. “Gjithashtu mësuam se në vitin 1999, Serbia u bombardua nga NATO dhe shumë serbë ikën në Serbi”.

Gajiq thotë se marrëdhëniet në rajon nuk janë aq paqësore dhe kur bëhet fjalë për luftëra, arsimi formal gjithmonë do të jetë ndryshe. “Gjithmonë është kështu. Ne duhet të gjejmë një mënyrë tjetër për ta bërë ndryshimin”, shton ajo.

Historiani serb Zoran Janjetoviq, në hulumtimin e tij “From Foe to Friend and Back” (Nga armiq në miq dhe sërish të tillë) thotë se në tekstet shkollore shqiptarët pasqyrohen si njerëz të këqij e që kanë persekutuar serbë gjatë 500 viteve të fundit.

“Imazhi i shqiptarëve si armiq të përjetshëm të serbëve u bart në shumë gjenerata serbe dhe një mësim i tillë i historisë, i kombinuar me nacionalizmin e shqiptarëve, e ushqen konfliktin dhe mungesën e vullnetit për pajtim,” thotë historiani Janjetovic.

Rishikimi i librave të historisë, kudo në vendet e ish-Jugosllavisë, vazhdon të ndeshet me rezistencë për një të vërtetë që përfshin edhe anën tjetër.

Viktimat serbe të bombardimeve të NATO-s gjatë pranverës së vitit 1999 kanë një vend të rëndësishëm në tekstet shkollore serbe, përderisa tekstet shqipe fokusohen më shumë në origjinën e luftës dhe krimet e kryera kundër popullatës shqiptare të Kosovës.

Ministria e Arsimit e Kosovës dhe Ministria e Arsimit e Serbisë e kanë injoruar kërkesën e ZFD për të komentuar çështjen e teksteve.

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, që gjithashtu ka analizuar tekstet shkollore në lëndën e historisë të të dyja vendeve me fokus në vitet e ‘90-ta, sidomos tek lufta në Kosovë, thotë se në të dyja anët ato janë të mangëta.

“Të dy palët i përmendin vetëm viktimat e palës së vet, duke i zmadhuar numrat e viktimave dhe nuk i përmendin viktimat e palës tjetër”, thotë Blakaj.

“Gjithashtu, në këto tekste askund nuk përmenden faktet për krime lufte që janë vërtetuar nga gjykatat vendore dhe Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë”, shton ai.

Korrigjimi i përmbajtjes së pasaktë të teksteve ka qenë një gjë që është kërkuar vetëm nga shoqëria civile.

Blakaj thotë se tani ka burime të sakta të informacioneve mbi luftën që që mund t’u shërbejnë hartuesve të teksteve, përfshirë edhe dokumentet e përdorura në gjykimet për krime lufte.

“Zyrtarizimi i pasqyrimit të saktë mbi krimet e luftës duhet të ndodhë gjithkah në vendet e ish-Jugosllavisë, që ballafaqimi me të kaluarën të mos u mbetet barrë gjeneratave të reja”, thotë Blakaj. /Afërdita Lukaj/

Ky shkrim është produkt i trajnimit online për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autores dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD.

Exit mobile version