Historia e Lebibe Dumoshit është e jashtëzakonshme. Ajo ka pritur shumë vite bashkëshortin e saj derisa ai po vuante në burgjet serbe.
Dumoshi e ftuar në emisionin “Pasdite” në RTV Dukagjini tregon se Osman Dumoshi ishte ndër organizatorët e demonstratave të vitit 1968 në kohën kur u njoh me Lebiben.
“Ishte viti 1974 kur u njoha me Osmanin. Isha 21 vjeçare. E kisha ëndërruar të krijojë një familje me një atdhetar si Osman Dumoshi. Një vit më pas u fejuam. Çdo gjë më dukej madhështore. Dy muaj pas fejesës e arrestuan atë Adem Demaçin dhe shumë atdhetarë të tjerë”, tregon Lebibja përcjell Telegrafi.
Lebibja tregon se në vitin 1976 filloi gjykimi i Osmanit dhe të tjerëve ku i fejuari i saj u dënua me 7 vite burg për shkaqe politike.
“Të 18 të dënuarit i shpërndanë. Në fillim Osmanin e vendosën në burgun e Pejës. Punoja në bankë në atë kohë dhe me shumë mund arrita të arsyetohem dhe të shkojë në vizitë në burg. Pasi foli më nënën e vet mua më tha: “Lebibe, shtatë vite janë shumë. Ti je shumë e re dhe vazhdo jetën tënde”. Unë i thashë jo shtatë vite por edhe 70 do të presë”.
Dy javë pas vizitës në burgun e Pejës Lebibja thotë se Osmani i dërgon një letër ku tregon që e kanë dërguar në burgun e Lepogllavës të njohur si Goliotok.
Lebibja thotë se pasi realizuan një vizitë në burg, Osmani i kishte shkruar një letër duke i thënë që të mos e provojë më pasi atë nuk e lejojnë për shkak të mbiemrit të ndryshëm.
“Unë më pas i shënova nëse ka ndonjë kusht që unë duhet ta plotësojë për të mundur të realizojë vizita. Ai më tha që duhet të kurorëzohemi”.
“Osmani më shënoi përsëri dhe më tha që dokumentacioni është dorëzuar por duhet të caktohet data e kurorëzimit. Caktuam datën e kurorëzimit dhe erdhi dita. Kurorëzimi ishte madhështore. Ofiqarja ishte e gjinisë femërore. Dëshmitarët ishin të burgosur ashtu me uniforma. Ne kishim marrë edhe pijen nga Prishtina. Kemi dalë dhe në pyetje ishin vetëm 10 minuta. Na lejoi administrata e burgut. Mbajë mend që osmani më tha: “Lebibe a je mirë”. Mirë, i thashë. Na treguan se ne ishim kurorëzimi i parë”.
Lebibja me Osmanin më pas ndërtuan familje dhe lindën dy fëmijë.
Osman Dumoshi kaloi në amshim më 3 shkurt 2003, në moshën 57-vjeçare.