Rrugëtimi i fotografit artist Fahredin Spahia është i ndarë midis Kosovës dhe Shqipërisë. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, profesorin e Akademisë së Arteve të Prishtinës mund ta hasësh sa në Tiranë, aq edhe në Durrës apo Pogradec. Pas një turi shkrepjesh në vende të “ gjuajtura” prej tij, të planifikuara që më parë, apo dhe vende krejt rastësore, e gjen edhe në shoqëri me miq, kryesisht fotografë. Në Pogradec e takojmë nën shoqërinë e fotografit, mjeshtërit të peisazhit, Ardian Fejzollari.
Fahredini pranon të flasë në ABC për gjithë rrugëtimin e vet artistik, ku fillesat i ka në vendin e tij të origjinës, në Mitrovicë. Përtej kujtimeve dhe nostalgjisë së natyrshme, ai na tregon për Mitrovicën e atyre viteve, që ishte jo vetëm një nga qendrat më të mëdha industriale në ish Jugosllavi, por edhe një qendër e rëndësishme kulturore. Aty lindën grupet e para muzikore të rock and roll- it shqiptar, siç është grupi “Minatorët”.
Qyteti kishte 5 kinema, dyqane të modës, teatro, galeri arti si dhe një komunitet të zhvilluar me shije sa u përket arteve vizuale. Asgjë nga këto nuk ka ngel sot, teksa përballesh me një qytet të ndarë nga një urë dhe përballesh me pamje sureale të ushtrive shumëkombëshe që për të ruajtur paqen, përleshet me grupe huliganësh.
Por profesori fotografisë në Akademinë e Arteve, për ne sjell atë atmosferën e dikurshme, që ka pasur ndikim të drejt për drejt në formimin e tij. Pas gati 40 viteve Mitrovica është varfëruar dukshëm në të gjitha drejtimet. Por për fotografin Spahia, në vitet e fëminisë dhe të adoleshencës së hershme, ambjenti artistik i Mitrovicës në ato vite ka ndikuar jo pak në formimin e tij.
Takimin me Fotografinë, Fahredini e ka pas gjatë shkollës tetëvjeçare, ku dhe u regjistrua në një kurs fotografie. Por asnjë moment nuk është ndarë nga artet vizuale. Ai në pamundësi financiare për të vijuar studimet për fotografi dhe kamerë, regjistrohet në Akademinë e arteve në Prishtinë në degën e grafikës. Marrëdhënien me fotografinë i lidhi në epokën e dixhitalizimit. Ai tregon se në Zvicër, ku jetonte dhe punonte bleu aparatin e parë dixhital dhe prej aty hyn fuqishëm në artin e fotografisë.
Një kapërcim i rëndësishëm në krijimtarinë artistike të Fahredin Spaisë, është periudha e pasluftës në Kosovë, që shoqërohet me ekspozita dhe botime të njëpasnjëshme. Në vitin 201 ai çel ekspozitën e parë në Kosovë. Spahia vendos njeriun në qendër të objektivit dhe artit të tij, qofte nëpërmjet portretit, qoftë nëpërmjet kompozimit, qoftë nëpërmjet nudove, të cilat zënë një vend të konsiderueshëm në forma të ndryshme në krijimtarinë e tij
Fahredin Spahia, për botën shqiptare, veçanërisht asaj të Kosovës ka sjellë risi me thyerjen e disa barrierave dhe tabuve, jo vetëm në ekspozimin e nudove, por dhe jetës së tyre, ku si modele janë ato që kanë pranuar dhe të ekspozohen para publikut.
Por Fahredin Spahia, nuk mund të mos linte gjurmë edhe në fotografinë dokumentare. Ai ka një album të publikuar të shoqëruara edhe me dy ekspozita, një në Prishtinë dhe një në Tiranë, ku në qendër të saj është Presidenti i ndjerë Ibrahim Rudova. Por edhe me të zhdukurit
Krahas fotografisë Fahredin Spahia ka dhënë kontribut edhe si drejtor i Galerisë së Artit, dhe vijon punën dhe si pedagog i fotografisë në Akademinë e Artit. Një angazhim i tij është për të mbajtur dhe ura lidhëse midis artistëve të fotografisë në dy shtete, në Kosovë dhe në Shqipëri, herë si kurator ekspozitash dhe herë si lektor apo redaktor botimesh, pasi për Spahinë nuk ka dy arte shqiptarë, arti shqiptar është një, vendet janë dy, apo më shumë, ku ushtrojnë aktivitetin këta artistë.