Pas aktit të pavarësisë, natyrshëm erdh edhe liberalizimi. Fotoja me Mogherinin është po aq historike sa ajo e shpalljes së pavarësisë. Dilema është: cila ishte më histerike!
Pra, e çliruam Kosovën, tash mund të shkojmë. Atë po ua lëmë pronarëve. Atyre që e blenë përmes procesit të privatizimit, apo që e morën me kallash në dorë, ose atyre që thonë se ua ka lënë baba. Atij që baba nuk i ka lënë asgjë, nuk ka grabitë apo nuk ka blerë asgjë, tash i është dhënë mundësia të shkojë kah të dojë. Liberalizimi për herë të katërt ka shumë gjasë të dalë i vërtetë. E katërta e vërteta po thonë si me shaka, por me shumë gjasë do të ndërrohet edhe thënia e moçme popullore e cila dikur, gabimisht lidhej me numrin tre.
Kush na e solli liberalizimin? Lirinë e dimë kush e solli. Atë e gjeti mes nesh NATO-kur erdhi. Populli që jetën e shihte në televizor dhe radio, nuk e besoi se liria qenka këtu, derisa nuk dëgjoi zhurmën e tankeve dhe po i shihte serbët e zemëruar, në uniforma, tek po dilnin nga historia, duke bërë shenjën e fitores me tre gishtërinj.
Sidoqoftë, e dimë kush e lexoi letrën e fuqive të mëdha…! Tjerat , janë objekt i debatit…!
Dikur ishte krejtësisht e lehtë. Diktatori e thërriste shefin e propagandës dhe e urdhëronte: Hiqe filanin nga historia. Pasojat e kësaj ishin të menjëhershme, sepse rezultonte se i njëjti nuk ka qenë kurrë pjesë e historisë, pra as në shpallje të pavarësisë, as nuk ka qenë në filan takimin historik, me këtë apo atë nga fuqitë e mëdha. Ai nuk ishte askund dhe në fakt nuk ishte askush edhe pse mund të ketë qenë motori i ngjarjes.
Kuptohet. Ne sot nuk e dimë, saktësisht se kush ka qenë, në ngjarjet e mëdha historike, sepse ato që ne dimë janë vetëm interpretim subjektiv i asaj kohe. Ata nëpër fotografi, ishin aktorët kryesorë, apo vetëm aktorët? Dikur thuhej se fotografia është fakt, është dëshmi objektive e një kohe, por ja që nuk është. Të retushojnë. Atëherë nuk kishte as “selfie”, as nuk i postoje në rrjetet sociale…! Rrjetet sociale, edhe asokohe ekzistonin, por ato ishin njerëzore, ishin të prekshme , fizike, biologjike. Realiteti ekzistonte vërtetë…dikur!
Nejse, në kohën tonë, nuk e nxjerr lehtë njeriun nga historia. Por, e futë si të duash. Vëre foton e një personaliteti të vogël, pranë të pasmeve të mëdha të ndonjërës nga ato që marrin vëmendjen publike dhe e fute njeriun në histori. Nëse historia është politike, mjafton të jetë afër me fotot e shefave, dhe pjesën tjetër e kryen vet truri. Truri i sheh gjithnjë, bashkë. “Google”, po ashtu, gjithnjë i nxjerr bashkë. .
E kur bëhet virale, ky është tashmë një realitet i ri, i cili hyn në kokat e njerëzve të cilët as që kanë ide se çka po ndodhë. Kështu bëhet edhe histori. Edhe histeri. Me dhjetëra miliona klikime, kjo është diçka që i tejkalon përmasat nacionale. Ne jemi popull me vetëm shtat milion! Pastaj, liderët nacional, të japin dekorata me rëndësi shtetërore. Kështu bëhen lajm ndërkombëtar. Me pushkë, me laps, me mikrofon, me të pasme e të përparme…me gjithçka sot kontribuon për vendin. Vetëm duaje tënden!
E dimë sot si rrodhi shpallja e pavarësisë së Shqipërisë? Nuk e dimë! Shumë heronj të panjohur munguan nga fotografitë as nuk i përmendën historianët. Pra, kur e sheh realitetin, një pyetje ulërinë nëpër neurone: Është e pavarur Shqipëria? Është e pavarur Kosova? Vetëm tri herë është ngritur flamuri? Nëse Shqipëria kishte tre “nëntor”, sa “shkurt” ka Kosova?
Dihet se Kosova u shpall disa herë më vete! E dinte apo jo Ismajl Qemajli ditën e shpalljes së pavarësisë? Për pavarësinë e Kosovës, kjo dihet. Këtë datë e dinte saktë vetëm presidenti i SHBA-ve. Edhe kryeministri i Kosovës mburrej asokohe se e dinte. Nejse, e diti apo nuk e diti, lufta më e madhe u bë rreth asaj se kush do e lexoi letrën, pra vet aktin e shpalljes së pavarësisë. Po të ndodhte sot, atë nuk do ta lexonte kryeministri, siç ndodhi më 2008. Do ta lexonte presidenti, si e do rendi. Por, pavarësia na gjeti të papërgatitur, sidomos presidentin e shtetit. Të gjithë u befasuam, prandaj gëzimi ishte aq i madh edhe ishte minus pesëmbëdhjetë, edhe pse Serbia kishte kohë që kishte ikur, dhe ne nuk na duheshin armiq të tjerë, sepse ne po i mjaftonim vetvetes.
“Solemnisht e shpall…” lexoi asokohe kryeministri dhe të tjerët, që ishin pa kontakte ndërkombëtare, dolën nga historia. Nga historia dolën edhe shkallët e kuvendit, ku delegatët e ish autonomisë, dikur e lexuan deklaratën e tyre për shkëputje nga ish-Jugosllavia. Nga historia iku edhe Kaçaniku!
Por, është vështirë të sigurosh vendin në histori, dhe të mbetesh… në fotografitë historike. Duhet pasur me vete mediat. Nuk rri dot mbi kalin e azdisur të historisë, pa e pasur median tënde. Mediat të kapin në çastet më (melo)dramatike. Mediat të përsërisin në mëngjes, në mesditë, në mbrëmje, dhe në orët e vona. Zgjohemi me historinë, dhe biem me të.
Fotografia historike në Bruksel është fund i lumtur për përrallën e Kosovës. Presidenti thotë se fundi do të jetë një kompromis i dhimbshëm. Dihet se ne pragun e dhimbjes e kemi të ultë. Prandaj, marrëveshja e dhimbshme do vijë pas liberalizimit. Kur të ikim ne, bëjani si të doni.
Cila fotografi ka më shumë rëndësi: ajo e shpalljes së pavarësisë apo e liberalizimit në Bruksel? Cila është më historike? Cila është më histerike?