Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar mbrëmjen e kësaj të enjteje shefin e Sektorit të Shërbimeve të Kufirit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë. Stiljan Pasho, 53 vjeç, është ndaluar me akuzën e përfshirjes në trafikimin e lëndëve narkotike.
Nga hetimet rezulton se kryekomisari ka shoqëruar shtetasin Lorenco Lika për të kaluar mjetin tip “Passat” nga Kapshtica drejt kufirit grek me plot 26 kilogram kanabis në makinë, duke e kaluar edhe vetë kufirin dhe më pas është kthyer në doganë.
Në disa raste, ky punonjës policie ka lëvizur disa herë me mjetin e shtetasit të arrestuar nga policia greke dhe një shtetas tjetër, fakt i provuar edhe nga sistemi Tims dhe kamerat e sigurisë.