Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një element kyç që duhet të zbatohet.
Duke e theksuar si element kyç, Hill ka shtuar se Kosova është e pakënaqur se integrimi në disa organizata ndërkombëtare është bllokuar.
“Në diplomaci më e rëndësishmja është se ekziston një mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të tilla dhe mendoj se ambasadori Lajçak është personi i duhur në kohën e duhur për këtë. Më pas është e nevojshme të kaloni nëpër të gjitha pyetjet dhe të shihni se çfarë mund të bëhet.
Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë muaj më parë se Asociacioni i Komunave Serbe është një element kyç që duhet të zbatohet. Në të njëjtën kohë, Kosova është gjithashtu e pakënaqur që qasja e saj në disa organizata ndërkombëtare është e bllokuar dhe ne duhet të merremi edhe me këtë”, ka thënë Hill.
Hill më tej ka shtuar se tani është koha për të mbështetur atë që po arrihet përmes dialogut.
“Është e lehtë të shikosh nga anash si dikush përpiqet të bëjë diçka dhe të japë këshilla, tani është koha për të mbështetur atë që po arrihet përmes dialogut nën kujdesin e BE-së”, ka shtuar Hill.