4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Hill: Po arrijmë te momenti kyç në procesin e dialogut

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill tha për Euronews Serbia se të gjithë e kuptojnë se po arrijmë tek momenti kyç në procesin e dialogut në Bruksel për Marrëveshjen e ardhshme të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se ai është optimist dhe se marrëveshja është e mirë për të dyja palët.

“Çështja kryesore për Serbinë, dhe unë mendoj se është një trend pozitiv, është të negociojë me BE-në. Në kohën që po bisedon me Kosovën, Serbia në të vërtetë po bisedon me BE-në për një sërë detyrimesh që do t’i marrë ndaj Unionit. Epo, tani, a duhet të jem optimist për këtë, do të shohim… Mendoj se jemi afër një momenti kyç në atë proces dhe do të shohim se si do të dalë”, tha Hill.

I pyetur për zbatimin dhe duke u shprehur se janë dëgjuar konkluzione kontradiktore të negociatorëve, Hill tha se shpeshherë ka përfundime të ndryshme, por se është e qartë se disa çështje kyçe do të zbatohen.

Një nga më të rëndësishmet, dhe këtë e kanë thënë edhe BE-ja edhe SHBA-ja, është nevoja e themelimit sa më të shpejtë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, theksoi Hill.

“Është e rëndësishme për disa arsye – sepse është një angazhim afatgjatë, kanë kaluar 10 vjet dhe kjo është një arsye për të vazhduar me të. E dyta është edhe më e rëndësishme është se komuniteti serb që jeton prej kohësh në Kosovë, e di se cila është e ardhmja e tyre”, pohoi diplomati amerikan.

I pyetur nëse është afër formimi i Asociacioni dhe nëse do të bazohet në Marrëveshjen e Brukselit apo ekskluzivisht në këtë Marrëveshje dhe nëse kjo do të jetë shenjë se zbatimi po vjen, ai u përgjigj, “Po, zbatimi po vjen. Negociatat ishin të vështira, por ka një udhëzim të qartë, që është Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013. Edhe pse negociatat sigurisht do të jenë të vështira, djalli është në detaje, siç thonë ata, dhe ka shumë të tilla. Por unë mendoj se ne kemi udhëzime të qarta, sepse nga gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 ne e dimë se si do të duket ai komunitet. Nuk dua të them se do të jetë e lehtë, është e qartë se njerëzit kanë ide të ndryshme për këtë, por në fund të këtij procesi do të bëhet e qartë se si serbët që jetojnë aktualisht në kushte të vështira në Kosovë, duhet ta shohin të ardhmen”, deklaroi ambasadori.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit se “nuk duhet të ketë autonomi për serbët”, ai tha se këto janë çështje të vështira dhe se ndonjëherë njerëzit thonë diçka dhe pastaj e vështirësojnë të gjithë procesin.

“Unë besoj në ndërmjetësuesit, Lajçak dhe Escobar, se ata i kuptojnë qartë të dyja palët – edhe Kurtin, edhe palën serbe. Unë mendoj se ekziston një konsensus për atë që po vjen dhe për atë që do të ndodhë. Sigurisht, ka shumë biseda dhe dialog dhe nëse i bashkoni të gjitha në negociata, nuk duket gjithmonë mirë, por ka një mirëkuptim që është më i madh sesa tregojnë fjalët”, tha Hill.

I pyetur nëse kjo do të thotë se të dyja palët do të jenë konstruktive, ai thotë se ka të ngjarë të ketë një shkëmbim të sinqertë pikëpamjesh dhe se ka një mirëkuptim nga të dyja palët se kjo nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, por se duhet të ketë përparim.

“Shumë në Serbi e shikojnë këtë çështje të Asociacionit dhe thonë ‘ne besojmë në negociata, por duhet të shohim rezultatet’. Ne do të shohim se si do të dalë, por unë mendoj se ne të gjithë e kuptojmë se po vijmë në një moment kyç në këtë proces”, nënvizoi ai.

Diplomati gjithashtu deklaroi se komuniteti ndërkombëtar dhe tani komuniteti euroatlantik po përballet me një situatë të vështirë dhe të rrezikshme në Ukrainë për shkak të agresionit rus.

“Vëmendje e madhe është tani tek Ukraina, me të drejtë. Për shembull, pas Ohrit, Joseph Borell nuk pati shumë kohë për të folur rreth bisedimeve, por menjëherë u kujdes që t’i kthehet çështjes së ukrainasve, të cilët po mbrohen kundër agresionit rus. Është një çështje kyçe dhe është në interesin e të gjithëve që çështjet si Kosova dhe dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të zgjidhen në një mënyrë pozitive, në mënyrë që njerëzit të mund të përqendrohen në atë që duhet të bëjnë për momentin, që është të ndihmojë Ukrainën që të mbrohet kundër agresionit”, tha Hill.

Lidhur me iniciativën e katër vendeve, “Ballkani Perëndimor”, ai thotë se SHBA mirëpret të gjitha nismat e vendeve të rajonit për të diskutuar rreth qëllimeve dhe ndërmarrjeve të përbashkëta.

“Këto katër vende duan të bisedojnë se si të koordinojnë politikën e tyre të jashtme për të qenë në linjë me BE-në dhe të përpiqen të përshpejtojnë anëtarësimin. Sigurisht, ato vende janë në faza të ndryshme, por mendoj se është një përpjekje e lavdërueshme. Sa herë që vendet ulen për të koordinuar situatën, për të shmangur çdo ndarje, është gjithmonë një iniciativë e mirë. Nuk besoj se kjo është në kurriz të ndonjë nisme tjetër… Janë disa pozitive që po zhvillohen për momentin në Ballkan, sa i përket integrimeve rajonale. Për shembull, iniciativa ‘Ballkani i Hapur’ është nisma më emocionuese dhe më premtuese. Unë sigurisht po e ndjek atë dhe nëse mund të bëhet diçka më shumë atje dhe a mund të ndihmojë Amerika”, tha Hill dhe shtoi se këto nuk janë nisma kundërshtuese.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img