1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Hill e do Serbinë larg Putinit dhe në dialog me Kosovën: Palët do të vendosin kur do të vazhdojnë bisedimet

Ambasadori i SHBA-së në Serbi Christopher Hill , i cili kaloi muajin e parë në Beograd në detyrën e tij të re, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës në gjuhën serbe se SHBA-ja dhe BE-ja presin që Serbia t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, por se Beogradi vendos për këtë, pa presion. Megjithatë, ai nuk tregoi qartë nëse do të kishte pasoja nëse Beogradi do të qëndronte në pozicionin aktual. Hill thotë gjithashtu se Serbia duhet të “rimendojë” nëse beson se Rusia do ta ndihmojë në zgjidhjen e problemeve me Kosovën. Ambasadori amerikan ka folur edhe nëse ka ndonjë pritshmëri nga qeveria e re serbe, ndërsa ka treguar edhe se për çfarë kanë folur senatori Chris Murphy dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Hill tha se “Serbia duhet të veprojë si anëtare e BE-së dhe t’u bashkohet sanksioneve

“Është e qartë se kjo është politika jonë dhe nga ana tjetër Serbia duhet të mendojë për të”, tha ai.

Ambasadori amerikan theksoi se SHBA-ja dhe Serbia kanë dallime të qarta jo vetëm për sanksionet, por edhe “për shembull, se sa shpejt Serbia dhe Kosova mund të përparojnë në dialog”.

I pyetur se pse është e rëndësishme për Amerikën dhe BE-në që Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë, Hill u përgjigj:

“Më duhet të them se kishte një keqkuptim në lidhje me raportin e shkruar nga Senatori Murphy, ku njerëzit disi kuptuan se ato 60 ditë, që kishin të bënin me një çështje ekonomike, në të vërtetë kishin të bënin me sanksionet – gjë që nuk është e vërtetë. Unë isha aty dhe nuk bëhej fjalë për sanksione.

Hill tha se Rusia nuk mund të jetë tani mik apo aleat me të cilin mund të krenohesh. “Dhe mendoj se po bëhet gjithnjë e më e qartë se çfarë duhet të bëjnë vendet. Në fund, u takon atyre vendeve të vendosin dhe askush nuk po i bën presion askujt, njerëzit në Serbi duhet të vendosin se në cilin drejtim duan të shkojnë”.

Ambasadori Hill u pyet nëse Serbia do të ketë pasoja nëse vazhdon të refuzojë t’i vendosë sanksione Rusisë.

“Është një pyetje hipotetike. Ajo që do të donim është thellimi i marrëdhënieve me Serbinë. Ne e dimë se sa e rëndësishme është Serbia në rajon dhe në Europë dhe do të donim të kishim marrëdhënie më të mira. Shtetet e Bashkuara tani kanë marrëdhënie më të mira me BE-në për shkak të kësaj lufte të tmerrshme në Ukrainë. Ne po flasim me Serbinë se çfarë mund të bëjmë së bashku për t’i dhënë fund kësaj lufte… Nuk do të doja të hyja në këtë, nuk po flasim për pasojat. Thelbi është se ne do të donim marrëdhënie më të mira, mundësinë për të gjetur interesa të përbashkëta”, tha ai.

“Nuk kam parë asgjë që tregon se Rusia po mbron dikë përveç zotit (Vladimir) Putin”, tha Hill, kur u pyet nëse SHBA-ja e kundërshton pohimin e disa ekspertëve se Rusia i mbron interesat e Serbisë për çështjen e Kosovës në OKB dhe për këtë shkak ka kaq shumë ndikim në Beograd.

“Dhe do të isha shumë i kujdesshëm me argumentet se Serbia përfiton nga lëvizjet e Rusisë. Unë e kuptoj dinamikën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e kuptoj thelbin. Por Serbia duhet të vendosë se çfarë marrëdhëniesh do të ketë me fqinjët e saj dhe si do t’i qaset. Qëndrimi ynë është se Serbia duhet të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Nuk mendoj se Serbia duhet ta shikojë Rusinë në korrelacion me Kosovën, apo anasjelltas, por ta shikojë secilën situatë veç e veç. Rusia është larguar kaq shumë nga ajo që ne e quajmë dinjitet ndërkombëtar, aq larg nga vlerat perëndimore, kështu që nëse mendoni se Rusia do të ndihmojë disi me Kosovën – duhet ta mendoni përsëri”, theksoi ambasadori amerikan.

Në lidhje me datën e vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi, Hill tha se të dyja palët “do të vendosin për këtë”, përcjell Gazeta Express.

“E di që BE-ja po përpiqet shumë të vendosë në tryezë ide të ndryshme, tema që po diskutohen, për ta ruajtur vrullin. Nuk është shumë argëtuese të jesh ndërmjetës, këtë e kam bërë në të kaluarën. Negociatat janë shumë të vështira dhe e di që BE-ja po bën më të mirën që mundet dhe Serbia dhe Kosova duhet ta respektojnë këtë. Këto çështje nuk janë të lehta, nëse do të kishin, do të ishin zgjidhur shumë kohë më parë. Duhet t’o kuptojmë vështirësitë, por jo të jemi peng i tyre, por të shohim se ku do të donim të shkonim.”, tha ai, duke shtuar në fund se, megjithatë, “diplomatët amerikanë nuk duhet t’u tregojnë serbëve se çfarë të bëjnë”.

Armatosjen e Serbisë nga Rusia dhe Kina, ambasadori Hill e komenton kështu:

“Shtetet e Bashkuara kanë një qëndrim për këtë – Serbia duhet të mendojë afatgjatë për një strukturë sigurie që e bën atë të sigurt. Dhe strukturat e zakonshme të sigurisë janë më të mirat. Mendoj se është shumë e vështirë në shekullin e 21-të të blesh pak pajisje nga njëra anë, pak nga ana tjetër dhe besoni se kjo i shërben interesave tuaja të sigurisë. Së fundi, e di që serbët nuk pajtohen me këtë, por më në fund është mirë që Serbia të jetë në NATO. Do të duhet kohë, e njoh shumë mirë historinë. Historianët shikojnë prapa, diplomatët presin përpara. Besoj se Serbia do ta kuptojë se mbrojtja e përbashkët është zgjidhja më e mirë”.

Hill tha se nga qeveria e re serbe pret më pak besim në Rusinë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img