Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka thënë se nuk sheh alternativë për dialogun dhe se duhet të formohet sa më parë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Hill tha se është e vështirë të thuhet se si do të zhvillohet dialogu dhe se ai personalisht, si shumë të tjerë, është i zhgënjyer që disa probleme nuk janë zgjidhur.
“Ka pasur përpjekje për të arritur një marrëveshje të caktuar për disa çështje, sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe, është dashur të formohet para 12 vitesh, ende nuk është zbatuar. Ka shumë punë. Në vend që të analizohet se si këto probleme janë zgjidhur, është e rëndësishme që ne të shikojmë se çfarë mundësish kemi në dispozicion dhe ne gjithmonë i kthehemi dialogut, kjo është padyshim mënyra më e mirë”, tha ai.
I pyetur nëse dialogu mund të forcohet, apo nëse ai mund të jetë më shumë se thjesht lehtësim i pikëpamjeve të ndryshme, ai tha:
“Unë mendoj se duhet të ketë një mekanizëm më të fortë për të ndihmuar dialogun të jetë i suksesshëm. Mendoj se është e rëndësishme dhe nuk shoh një alternativë ndaj dialogut. Mendoj se duhet të bëjmë një përpjekje për të parë nëse ndërmjetësi, nëse fuqitë e saj mund të forcohen më shumë. Ka edhe një administratë të re në Amerikë, një administratë e re në Komisionin Evropian dhe ka një nevojë të madhe për t’i parë mirë të gjitha këto çështje. Në kuadër të problemeve që ekzistojnë, kjo çështje duhet të jetë e zgjidhshme, duhet të punojmë më shumë”, tha Hill për Euronews Serbia.
Duke folur për Asociacionin e Komunave Serbe, Hill tha se duhet të formohet, se është “zgjidhja më e mirë”, dhe se SHBA-të e mbështesin.
“Mendoj se në fund do të mbizotërojë logjika dhe logjika do të thotë që ky komunitet të formohet. Jam i zhgënjyer si gjithë të tjerët që nuk është bërë ende, por nuk e kuptoj pse nuk do të ishte në të ardhmen”, tha ai.
Ai thotë gjithashtu se formimi i saj ka qenë racional 12 vite më parë, por edhe tani, por gjithashtu tregon se ndonjëherë duhet më shumë kohë për të realizuar disa të mira.
“Dhe kjo është një nga ato çështje. Është mirë, duhet të zbatohet dhe do të bëhet me kalimin e kohës”, tha ai.
Ai shtoi se Uashingtoni dhe Brukseli janë dakord që dialogu duhet të ketë sukses.
“Nëse shikoni faktin që nuk pati sukses, atëherë duhet të rishikohen disa dobësi dhe të shihet nëse diçka mund të përmirësohet. Unë e respektoj faktin që Bashkimi Evropian po e udhëheq këtë dialog. Ata e kuptuan nevojën për të. Mendoj se është e rëndësishme që amerikanët të mbështesin dhe le të shohim se çfarë mund të bëjmë për ta ndihmuar atë. Ne jemi mbështetës të mëdhenj të Bashkimit Evropian, i cili ka bërë shumë gjëra pozitive në këtë pjesë të botës sepse dialogu duhet të ketë sukses dhe ka nevojë për ndihmë”, nënvizoi ai.