3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Hovenier: Pozicioni i SHBA-së për zgjedhjet nuk ka ndryshuar

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë sot se qëndrimi amerikan është i qartë dhe nuk ka ndryshuar lidhur me procesin zgjedhor në veri të Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ambasadori Hovenier ka rikujtuar se në pajtueshmëri me predispozitat ligjore, Kosova do të mbajë më 23 prill zgjedhjet për kryetarë komunash dhe kuvende komunale në katër komunat e banuara me shumicë serbe, në veri të vendit.

Duke u bërë thirrje të gjithë kandidatëve nga të gjitha partitë politike që të marrin pjesë “në këtë proces demokratik”, ambasadori amerikan Hovenier ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do ta vëzhgojnë këtë proces nga afër”, ka thënë Hovenier, duke kërkuar njëkohësisht nga Qeveria e Kosovës të dëshmojë ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.

Për këta të fundit ndërkaq dhe për partitë politike, ambasadori amerikan ka nënvizuar rëndësinë e “përgjegjësisë që kanë për të respektuar proceset demokratike”, duke ua rikujtuar mundësinë që e kanë pasur të gjithë për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë.

Më 23 prill, pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilëve vetëm një nga komunitetit serb.

Tri ditë para zgjedhjeve, nga gara është tërhequr Alleksandar Jabllanoviq, kandidat i Partisë së Serbëve të Kosovës për kryetar të Leposaviqit, me arsyetimin se “nuk ka kushte adekuate” për mbajtjen e tyre.

Mirëpo, Valmir Elezi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion tashmë i ka shtypur fletëvotimet.

I pyetur nëse do të numërohen votat për Partinë e Serbëve të Kosovës, ai ka thënë se “KQZ-ja do t’i publikojë rezultatet për kandidatët e certifikuar.”

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, me arsyetimin se nuk i janë përmbushur dy kërkesa: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe tërheqja e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po organizohen pasi kryetarët e këtyre komunave – nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img