Site icon PrishtinaPress

Hetuesit të afërt me ministrin Peci, i punësohet gruaja në Ministrinë e Bujqësisë

Punësimi i familjarëve, miqve e të afërmeve të tjerë, ndër vite është kritikuar nga pushteti aktual. Thënia e famshme “miqtë e familjarët janë për dasma”, edhe sot jehonë në veshin e shumicës së votuesve të Kosovës.

Nëpër shumicën e institucioneve e ndërmarrjeve, Nacionale po raporton në vazhdimësi për rehatimin e zyrtarëve të afërt me partinë në pushtet. Megjithatë, kohëve të fundit situata ka kaluar një nivel më lartë.

Gazeta Nacionale nga burimet e veta ka mësuar se në Agjencinë Pyjore të Kosovës që është në kuadrin e Ministrisë së Bujqësisë, ishte punësuar Shqipe Krasniqi-Kllokoqi. Kjo e fundit ishte ‘rehatuar’ në pozitën e Zyrtares për Buxhet dhe Financave.

Shpallja e rezultateve ishte bërë në muaji shkurt të këtij viti, ku kjo kandidate kishte marrë 83 pikë në total. Dukshëm më e vlerësuara se të gjithë të tjerët. Nacionale ka siguruar edhe listën me pikët e caktuara.

Sigurisht që emri i kësaj kandidateje në shikim të parë nuk thotë asgjë. Por, burimet e Nacionales të afërta me këto zhvillime kanë bërë të ditur se Shqipe Krasniqi-Kllokoqi është bashkëshortja e hetuesit të Policisë, Pajtim Kllokoqi.

Pajtim Kllokoqi është hetues në Sektorin për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Kosovës. Sipas burimeve të Nacionales, Kllokoqi në mesin e shumë rasteve që ka trajtuar, ka hetuar edhe raste në të kaluarën që janë ndërlidhur me Ministrinë e Bujqësisë.

Çuditërisht ose jo, bashkëshortja e tij punësohet në Agjencinë Pyjore të Kosovës në një pozicion të rëndësishëm.

Megjithatë, këtu nuk marrin fund dyshimet. Sipas informacioneve që ka siguruar Nacionale nga burimet e veta, hetuesi Pajtim Kllokoqi ka afërsi direkte me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Këtë, Nacionales ia kanë konfirmuar 3 burime të ndryshme, të cilat nuk kanë dashur të identifikohen.

“Është e vërtetë që janë të afërt me ministrin. Kanë afërsi”, tha një burim për Nacionalen në kushte anonimiteti.

Nacionale ka tentuar të sigurojë fotografi apo dëshmi të tjera që e dëshmojnë këtë, dhe ka arritur të sigurojë një urim në facebook për ditëlindje që hetuesi Kllokoqi ia ka bërë Pecit. E ky i fundit më pas, ia ka bërë ‘like’ urimin. Sigurisht që ministri nuk ua pëlqen urimet të gjithëve, në mungesë të kohës…

Exit mobile version