Vdekja e Yevgeny Prigozhin, kreut të grupit mercenar Wagner, është konfirmuar nga analizat gjenetike, tha Komiteti Hetues i Rusisë më 27 gusht.
Prigozhin vdiq gjatë rrëzimit të një avioni privat në veri të Moskës më 23 gusht.
“Ekzaminimet molekulare-gjenetike kanë përfunduar si pjesë e hetimit për rrëzimin e avionit në rajonin Tver”, tha zëdhënësja e komitetit, Svetlana Petrenko.
Avioni privat Embraer ishte nisur nga Moska drejt Shën Petersburgut. Shkaku i rrëzimit të tij ende nuk është përcaktuar.
Ka pasur spekulime se Kremlini mund të ketë qenë i përfshirë në rrëzimin e avionit. Avioni u rrëzua saktësisht dy muaj pasi Wagner kreu një rebelim të shkurtër kundër presidentit rus, Vladimir Putin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka përshkruar incidentin si “tragjik” dhe i ka quajtur “gënjeshtra” spekulimet për një përfshirje të mundshme të Kremlinit në këtë ngjarje. /REL/