Donald Trump ka bllokuar dokumentin demokrat që kundërshton memon republikane me pretendimin se Presidenti aty paragjykohet në lidhje me hetimin e FBI-së në çështjen ruse.
Javën e kaluar, Trump i sfidoi paralajmërimet e Byrosë Federale të Hetimit ndaj nxjerrjes së memos republikane që pretendonte se agjencia kishte abuzuar me pushtetin e saj duke hetuar një këshilltar të Presidentit si pjesë e hetimit të tij ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Demokratët këmbëngulin se dokumenti i ka mbledhur informacionet sipas dëshirës dhe se është çorientues. Në fillim të javës, Komiteti i Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve votoi unanimisht për deklasifikimin e memos demokratike prej 10 faqesh, që synonte balancimin e asaj republikane, e pas veprimit të Trumpit, lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer e cilësoi publikimin e saj si çështje të një “drejtësie themelore” dhe e nxiti kreun e shtetit të tregojë se nuk po përpiqet që t’i vërë shkopinj nën rrota hetimit të Rusisë.