Site icon PrishtinaPress

Hetimi i krimeve të luftës, Sveçla dhe Haxhiu vizitojnë Policinë e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë vizituar sot Policinë e Kosovës, ku janë pritur nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.

Në njoftimin për media, policia ka njoftuar se qëllimi i vizitës ishte për të parë nga afër punën e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës.

“Fokusi i vizitës së ministrave, përveç tjerash, ishte te Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, për të parë nga afër punën, angazhimin dhe përkushtimin e kësaj drejtorie në hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar të cilët kanë kryer krime e gjenocid në Kosovë. Duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet e luftës përfshirë dhunën seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, u vlerësua se duhet shtuar edhe më tej angazhimi i përbashkët i hetimit, arrestimit dhe procedimit penal të të gjitha rasteve të krimeve të luftës tek organet e drejtësisë”, është thënë në njoftimin për media të Policisë.

Sipas njoftimit, drejtorisë në fjalë i është ofruar mbështetej e plotë nga të dy ministrat.

“Në takimin e përbashkët me stafin e lartë menaxhues, pjesë e të cilit ishin edhe stafi i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, u ritheksua zotimi për të mos reshtur së hetuari e kërkuari drejtësi për krimet e luftës, si dhe u ofrua mbështetje e plotë ndaj Policisë së Kosovës, e në veçanti ndaj kësaj drejtorie mjaft të rëndësishme”, është thënë në njoftimin e policisë.

Exit mobile version