Site icon PrishtinaPress

Hetimet për sulmin terrorist në Banjskë, Osmani: Disa shtete aleate kanë konfirmuar pjesëmarrjen e Serbisë

Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se disa shtete aleate kanë konfirmuar përfshirjen e institucioneve më të larta shtetërore të Serbisë në sulmin e Banjskës.

Osmani ka thënë se urdhri i sulmit ka ardhur nga presidenti, Aleksandar Vuçiq.

“Ka hetime të përfunduara edhe nga disa shtete aleate që kanë konfirmuar përfshirjen e institucioneve më të larta shtetërore serbe (në sulmin paraushtarak Banjskë). Kjo ka ndodhur patjetër me urdhrin e institucioneve shtetërore të Serbisë. Urdhri ka ardhur nga vetë presidenti serb Vuçiq. Kjo është e dëshmuar.” ka thënë ajo.

Tutje, ka bërë të ditur se kanë marrë kërkesë nga aleatët që të presin edhe pak, duke shtuar se nuk i përjashtojnë mundësit që shumë shpejt do të dalin me konkluzionet rreth rastit.

“Neve na është thanë nga aleatët të presim edhe pak, sepse secili prej tyre i kanë procedurat e tyre të brendshme se kur i bëjnë publike rezultatet e hetimeve apo konkluzioneve. Asnjëherë nuk e përjashtoj mundësinë që shumë shpejtë të dalin me konkluzione të tilla, por mos harroni ne jemi Kosova dhe ne i bëjmë vlerësimet tona. Ndërsa këta shtete i vlerësojnë ndryshe edhe kohën kur, ose interesat që kanë rajonale, apo raportet edhe me Kosovën dhe Serbinë. I kanë ata vlerësimet e tyre se kur është momenti i duhur”,  ka thënë ndër të tjera Osmani në rtv 21.

Gjatë javës së kaluar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pret që së shpejti Policia dhe Prokuroria të dalin me raport mbi të gjeturat për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe kidnapimit të tre policëve.

Kjo gjë, Sveçla ka thënë se pret të ndodhë ditëve në vijim.

“Për çështjen e sulmit terrorist në Bansjkë më 24 shtator, tashmë jeni njoftuar që Policia e Kosovës me Prokurorinë janë duke bërë hetimet më të mëdha në historinë e Republikës së Kosovës. Patjetër unë shpresoj që shumë shpejtë do ta dalin me rezultatet preliminare, kjo është edhe një ndër kërkesat që i kam adresuar edhe Policisë dhe Prokurorisë përmes Policisë, që sa më shpejtë të kemi një raport preliminar mbi të gjeturat nga ky rast, por edhe nga rasti i kidnapimit të policëve. Do të thotë përgjegjësit kryesorë për hetim dhe për të ndërmarrë hapat e duhur se a do të dalin me raport për hetimet e tyre unë besoj që duhet t’i pyesni ata. Unë pres që ditëve në vijim që Prokuroria dhe Policia të dalin me raport mbi të gjeturat për këto dy raste jashtëzakonisht të rënda për Kosovën”, tha ai.

Kosova ka përpiluar një raport preliminar, të cilin ia ka përcjellë edhe Bashkimit Evropian. Më 9 tetor, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel ia ka përcjellë zyrtarisht BE-së raportin preliminar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para pak javësh tha se është e nevojshme që të ketë hetim të hollësishëm dhe t’i vendosen sanksione Serbisë, në mënyrë që të mos përsëriten sulmet sikurse ai i 24 shtatorit.

“Për të mos ndodhur kjo sërish, është i nevojshëm edhe konkluzioni i hetimeve të BE-së, KFOR-it, EULEX-it, SHBA-së, në njërën anë, dhe sanksionet ndaj Serbisë në anën tjetër”, ishte shprehur Kurti.

Sulmi në Banjskë ka nxitur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Deri sot, janë identifikuar 38 terroristë që morën pjesë në sulm.

Exit mobile version