Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës, pas aplikimit të masave të veçanta hetimore, ka ndaluar një person të dyshuar për veprat penale ‘’Fajdeja’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Siç bëhet e ditur, i dyshuari G.J., gjatë fundit të vitit 2022 dhe 2023, në komunën e Vitisë, është marrë me aktivitet kriminal.
Sipas Prokurorisë, i njëjti ka dhënë para me fajde në vlerë prej 4.900 euro, me qëllim që pastaj të njëjtat t’i kërkonte nga i dëmtuari M.A., me kamatë prej 10%.
Në aksionin për arrestimin e tij, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur edhe dy armë pa leje.
I njëjti dyshohet se ka kryer veprat e sipërshënuara penale dhe ndaj tij prokurori i shtetit do të kërkojë masën për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale.