Site icon PrishtinaPress

Heta: Murtaja afrikane e derrit s’përhapet te njeriu, u asgjësuan të gjitha derrat në fermën e dyshuar

Drejtori i Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në AUV, Sadik Heta, ka deklaruar për Ekonomia Online se kanë arritur që ta parandalojnë përhapjen e mëtejme të sëmundjes murtaja afrikane e derrit, pasi rasti i parë në Kosovë u konfirmua më 17 korrik në një fermë derrash në komunën e Kllokotit.

Ndonëse kjo sëmundje transmetohet nga kontakti kafshë me kafshë, Heta thotë se ka raste kur mund të transmetohet edhe nga produktet e kafshëve.

Ai thotë se fillimisht është izoluar ferma, e më pastaj pas marrjes së rezultateve, është bërë asgjësimi i derrave dhe produkteve të tyre.

“Me të marrë njoftimin, ne si autoritet qendror kemi marrë masat tona, kemi shkuar në fermën e dyshuar, kemi bërë izolimin e asaj ferme, kemi marrë mostrat e derrave të ngordhur dhe e kemi sjellë në laboratorin e ushqimit dhe veterinarisë për analiza të mëtejme.

Pra me të sjellë në laborator, të dielën ka dalë me konfirmime që në këtë fermë ekziston virusi mortaja afrikane e derrit. Ne si agjencion e kemi bërë asgjësimin e të gjitha kafshëve në fermë, produkteve të tyre dhe dezinfektimin e komplet fermës dhe oborrit përreth”, thotë Heta, teksa sugjeron që të kufizohet edhe lëvizja e njerëzve tek vendet e dyshuara.

“Ajo çka mund të jetë rreziku në këto raste është transmetimi i sëmundjeve nëpërmjet lëvizjes së njerëzve apo edhe produkteve të ndryshme. Nënkupton që lëvizja e njerëzve, pra sëmundja mund të bartet edhe nëpërmjet njerëzve, këpucëve, rrobave e gjërave tjera.

Pra është sëmundje që transmetohet direkt nga kontakti kafshë me kafshë, mirëpo në shumicën e rasteve, transmetohet nga produktet e kafshëve, nga gjësendet e ndryshme…”, u shpreh ai.

Teksa ka folur për këtë sëmundje, Heta shprehet i bindur se nuk ka rrezik të bartjes tek njeriu. Thotë se mund të ketë vetëm dëme ekonomike.

“Dua ta potencoj në fund, kjo sëmundje nuk ka karakter zonatik pra nuk bartet nga kafsha tek njeriu, ka karakter ekonomik.

Pra humbjet mund të jenë shumë të mëdha nga ngordhja ose përhapja e kësaj sëmundjeje.

Ju sugjeroj të gjithëve që mos të frikësohen nga kjo sëmundje, për arsye se nuk ka rrezik të bartet nga kafsha tek njeriu, mirëpo humbjet ekonomike mund të jenë shumë të mëdha”, u shpreh ai.

Exit mobile version