2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Heshtni nga frika se do paragjykoheni, ja ç’duhet të bëni

Frika se mos bëni gjëra të pahijshme, shkakton ankth dhe të nxit të tërhiqesh nga rrethi shoqëror. Mos u shqetësoni, sepse ky është një problem kalimtar, që mund të korrigjohet.

Nuk do të thotë që s’keni fantazi, apo jeni pak të interesuar. Kur një person “arratiset” nga situatat dhe takimet e reja, e bën sepse trembet, ka frikë se nuk di ç’të thotë, ose për çfarë të flasë, duke e kufizuar rrethin shoqëror vetëm te dy a tre miq që ka besim. Në fakt personat që sillen në këtë mënyrë kanë frikë nga mendimi i të tjerëve, gjë që vjen nga mungesa e besimit në vetvete, ose “gjykimi i brendshëm karshi vetes”, që në këtë rast është ekstrem.

Kur flisni thojini gjërat ashtu siç i mendoni

Subjekti stepet dhe trembet kur fantazon për situatën që do të krijohet pas gjërave që mund të thotë. Prandaj për të shmangur këtë gjendje është mirë që fillimisht t’i përjetojë vërtet gjërat, pastaj të gjykojë. Nuk ka pse e ndërlikon situatën apo të flasë me veten, vetëm për faktin se mendon që nuk është në lartësinë e duhur. Këto janë probleme që e shqetësojnë subjektin, sepse i sheh këto lloj situatash si një gur prove, një terren ku nuk duhet të bësh gabime dialektike, të paraqitesh mirë dhe të shkëlqesh. Është një provë që perceptohet si shumë e vështirë dhe se pikërisht për këtë mund të krijojë një bllokim të vërtetë. Prandaj në këto raste subjekti duhet ta sforcojë edhe më shumë veten për të ndier sfidën dhe për të mposhtur frikën.

Qëndroni larg paragjykimeve

Ankthi të shtyn gjithmonë të paragjykosh veten. Kur subjekti është i stresuar nuk logjikoni ftohtë dhe është i bindur se fjalët e të tjerëve vlejnë më shumë se të tijat. Ai ndien vazhdimisht sikur një sy i brendshëm po e vëzhgon. Po në gjithë këtë situatë të pakëndshme të tjerët çfarë janë? A mos vallë janë thjesht spektatorë të kësaj marrëdhënieje të tmerrshme mes një personi depresiv dhe vetvetes? Hapi i parë që të lidheni vërtet me të tjerët dhe të kuptoni më mirë veten duhet të bëni gabime dhe të mos e dënoni veten me gjykime.

Sjellja e duhur

– Mbajeni trupin në një pozicion komod.

– Përpiquni që t’i vëzhgoni me kujdes të tjerët, mënyrën sesi flasin dhe çfarë thonë.

– Provoni të përfshiheni në një bisedë para se të kërkoni fjalën.

– Mos i merrni gjërat seriozisht dhe përdorni pak ironi.

Mos thoni asgjë, por vazhdoni të shikoni të tjerët. Në fillim duhet të qëndroni të heshtur ose të thoni vetëm disa fjalë kur ju jepet mundësia. Kini besim, sepse nuk do të ndodhë asgjë e keqe që t’ua prishë imazhin. Shfrytëzoni heshtjen për ta spostuar vëmendjen nga vetja te të tjerët, duke i parë të gjithë me kureshtje dhe vëmendje, në mënyrë që të kuptoni se për çfarë po flasin. Merreni fjalën në momentin e duhur dhe hapni sytë se mos këpusni mufka!

Flisni vetëm për gjërat që dini

Çojeni bashkëbisedimin në një fushë ku i dini të gjitha gjërat me detaje: te temat që ju duken familjare dhe ato që ju pëlqejnë vërtet. Në qoftë se personat që keni përballë nuk janë të interesuar për ato që po thoni, atëherë është normale që të mos dish se çfarë të thuash. Më mirë heshtni sesa të flisni me kompetencë për gjërat që s’i dini. Nëse doni të përfshiheni në bisedë, bëni pyetje: kërkoni, informohuni. Vetëm kështu nuk rrezikoni të turpëroheni.

Mposhteni “gjykatësin e brendshëm”

Është shumë e rëndësishme që ta mposhtni “gjykatësin” tuaj të brendshëm që nuk ju lë të shpreheni të lirë. Nëse doni të shëroheni nga kjo anomali, psikoterapia individuale mund t’ju ndihmojë, madje më efikase akoma do të ishte një terapi në grup ose disa lloje kursesh që janë të orientuara rreth këtij problemi. Kjo është e vetmja mënyrë ku mund të krijohen dinamika, të cilat mund të zhbllokojnë edhe situatat më të mbyllura.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img