1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Heshtje zgjedhore – të dielën votohet në katër komunat në veri të vendit

Të dielën më 23 prill do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në këto dy të fundit votohet edhe për asamble.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ( KQZ) ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve, ndërsa ka njoftuar se numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

Gjithashtu, Policia e Kosovës bën të ditur se bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor.

“Qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor, ku Policia e Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

Garantimi i së drejtës së votës, mbrojtja e jetës dhe pronës, parandalimi i dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, etj”, thuhet në njoftim.

Mbajtjen e zgjedhjeve në veri e kanë komentuar edhe njohësit e sigurisë, të cilët konsiderojnë që qytetarët janë të terrorizuar nga presioni që kanë nga qeveria serbe.

“Fatkeqësisht, iniciativën dhe veprimet në veri i ka Qeveria e Serbisë, e cila përmes grupeve të organizuara terroriste, terrorizon popullatën serbe e cila ndodhet atje, dhe ato pjesë të komuniteteve tjera që jetojnë atje. Jeta zhvillohet në kushtet e një terrori shtetëror që e organizon Qeveria e Serbisë për sigurimet e saj politike”, është shprehur për Telegrafin, analisti Fadil Kajtazi.

Ndërsa, profesori Avni Islami tha se në zgjedhjet që do të mbahen më 23 prill mund të ketë ndonjë incident sporadik. Ai theksoi se bashkësia ndërkombëtare është e interesuar që të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore.

Në anën tjetër, zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë deklaruar se Kosova dhe Serbia e kanë detyrë që ta bëjnë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në pushtetin lokal, policinë dhe gjyqësorin dhe njëkohësisht të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë demokratike dhe paqësore.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img