Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky më 8 korrik tha se ka sjellë në shtëpi nga Turqia pesë komandantë të zënë rob nga Rusia gjatë luftës brutale në qytetin e Mariupolit në fillim të luftës.
Kremlini iu përgjigj me zemërim veprimit të Zelenskyt, duke thënë se ata nuk ishin të informuar për lirimin e komandantëve duke pretenduar se lëvizja shkelte një marrëveshje me Ankaranë që ata të qëndronin në Turqi deri në fund të luftës.
Në shtator 2022, Ukraina njoftoi lirimin e 215 ushtarëve të saj në këmbim të dhjetëra të burgosurve rusë dhe një politikani pro Moskës.
Si pjesë e marrëveshjes dhe në bashkëpunim me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, presidenti ukrainas tha se pesë komandantët do të qëndrojnë në Turqi “në siguri të plotë dhe në kushte komode” deri në fund të luftës.
Pas kthimit të tij në Kiev me burrat, Zelensky nuk shpjegoi menjëherë pse u lejuan të largoheshin nga Turqia në këtë kohë.
“Ne po kthehemi në shtëpi nga Turqia dhe po i sjellim heronjtë tanë në shtëpi”, shkroi Zelensky në Telegram.
“Ushtarët ukrainas Denys Prokopenko, Svyatoslav Palamar, Serhiy Volynsky, Oleh Khomenko, Denys Shleha. Më në fund do të jenë me të afërmit e tyre. Lavdi Ukrainës!”, tha Zelensky.
Qyteti i Mariupolit dhe fabrika e tij e çelikut Azovstal ishin skena e një rrethimi të gjatë që përfundoi në maj 2022 dhe e la Mariupolin në gërmadha përpara se 2,500 mbrojtës ukrainas të dorëzoheshin përfundimisht.
Pas njoftimit të Zelenskyt, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u citua nga agjencia e lajmeve RIA të ketë thënë se kthimi i komandantëve nuk ishte “asgjë më shumë se një shkelje e drejtpërdrejtë e kushteve të marrëveshjeve ekzistuese” nga qeveritë ukrainase dhe turke.
Peskov tha se sipas kushteve të shkëmbimit të të burgosurve, komandantët do të qëndronin në Turqi deri në fund të konfliktit. Ai shtoi se Moskës nuk i ishte thënë për lirimin e tyre.
Udhëheqësit turq nuk komentuan menjëherë.
Më 7 korrik, Zelensky u takua me Erdoganin, i cili i tha se Ukraina meritonte të anëtarësohej në NATO, por gjithashtu i kërkoi asaj të hynte në bisedimet e paqes me Moskën.
“Nuk ka dyshim se Ukraina e meriton anëtarësimin në NATO”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët shtypi në Stamboll. Por ai shtoi se “të dyja palët duhet të kthehen në bisedimet e paqes”.
Ai tha gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin muajin e ardhshëm do të bëjë vizitën e tij të parë në Turqi që kur Kremlini filloi pushtimin e tij në Ukrainë 500 ditë më parë. Ai do të diskutojë shkëmbimin e të burgosurve me liderin rus, tha ai./REL