Komisioni Evropian ka thënë se procesi i heqjes së vizave për qytetarët serbë të Kosovës, e të cilët posedojnë pasaporta ilegale të lëshuara nga “Drejtoria Koordinuese Serbe”, është proces i përmbyllur legjislativ.
Në një përgjigje për Klankosova.tv, një zëdhënës i këtij institucioni ka thënë se më 16 nëntor 2023, Komisioni ka miratuar një propozim për të lejuar serbët e Kosovës që janë mbajtës të pasaportave serbe të lëshuara nga “Drejtoria Koordinuese Serbe” të udhëtojnë pa viza në BE.
Qëndrimi i Komisionit, sipas këtij zëdhënësi, theksohet në propozimin e Komisionit, ndërsa thuhet se qëllimi i propozimit është të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mbulohen nga një regjim pa viza kur udhëtojnë në BE.
Zëdhënësi i KE-së ka thënë po ashtu se ky propozim i tyre është miratuar të hënën (22 korrik) nga Këshilli “dhe me këtë përmbyllet procesi legjislativ”.
“Me hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të BE-së”.
“Ky propozim plotëson hyrjen në fuqi të regjimit pa viza për mbajtësit e pasaportave të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2024”, ka theksuar ky zëdhënës i Komisionit Evropian për Klankosovatv.
Klankosova.tv ka pyetur Komisionin Evropian nëse të njëjtit janë konsultuar me institucionet e Kosovës lidhur me këtë veprim, mirëpo nuk kanë kthyer përgjigje.
Presidenca e Kosovës ka thënë se vendimi i Këshillit të BE-së dje që të lejohet qarkullimi pa viza për qytetarët me pasaporta të jashtëligjshme serbe të lëshuara në Kosovë, dëmton kosovarët, Kosovën dhe karakterin multientik të saj si dhe vetë BE-në.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka quajtur të padrejtë vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët serbë të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të Serbisë me vendbanime qytetet e Kosovës.
“E konsiderojmë të padrejtë, të dëmshme dhe gjithashtu dekurajuese për integrimin e serbëve. Sidoqoftë shteti i Kosovës, Republika jonë demokratike dhe e pavarur e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë, ndërkaq ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë te vendimet e Brukselit”, tha Kurti sot.
“Drejtoria Koordinuese Serbe” lëshon pasaporta për serbët që jetojnë në Kosovë, mirëpo që qytetet e Kosovës i fut në kuadër të Serbisë.