Lidhja Demokratike e Kosovës ka hequr të gjitha vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
I pari i kësaj partie, Isa Mustafa, dy ditë më parë deklaroi se vijat e kuqe ndaj PDK-së u hoqën për shkak të vështirësive për të bërë zgjidhje.
“Ajo çka unë kam thënë publikisht, është se vijat e kuqe ne të cilat i kemi vënë përpara ato vija të kuqe tani duhet t’i heqim edhe në situatën e tanishme por edhe kur të vijmë në zgjedhjet e ardhshme për arsye se shumë vështirë po mund të bëjmë zgjidhje, duke izoluar ose duke dhënë ndalesa të bashkëpunimit në disa subjekte politik”, ka thënë Isa Mustafa.
Nga PDK nuk befasohen me deklaratën e kreut të LDK-së, duke thënë se pa ta nuk mund ta marrin asnjë vendim.
Ariana Musliu-Shoshi ironizon paksa me deklarimin e Mustafës, duke thënë se tashmë nuk po dihet kush i vendos vijat e kuqe në LDK, Isa apo Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie.
“Në LDK më duket se vendos Këshilli i Përgjithshëm për vijat e kuqe, por tash po vendos Isa Mustafa. Nëse i ka vendos Këshilli, duhet me i heq Këshilli. Por ata (LDK) thonë se nuk bëjmë koalicion me PDK-në, por kthehen prapë tek ne, se asnjë vendim madhor nuk mund ta marrin pa ne, këtë po e dëshmon edhe mosarritja që ta votojnë ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, ka deklaruar Musliu-Shoshi për Reporteri.net.
E pyetur se a ju ka ardhë ndonjë ftesë nga LDK për të hyrë nga koalicion, ajo ka thënë se jo, duke shtuar se partia e tyre është për qëndrim në opozitë.
“Ne si PDK nuk kemi vija të kuqe me asnjë parti. Deri tash qëndrimi i partisë është të qëndrojmë në opozitë. Nuk është diskutu në asnjë organ vendimmarrës çështja e koalicionit, përderisa nuk diskutohet në organet e partisë, nuk merret vendimi”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.