Helmohen pesë nxënës të shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë, po trajtohen në QKUK

49
Advertisement

Që nga e premtja pesë nxënës të shkollës fillore “Elena Gjika” në Prishtinë janë duke u mjekuar në Klinikën Infektive, pasi që dyshohet se janë helmuar nga
ushqimi.

Advertisement

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazilu.

“Ju konfirmojmë se 5 nxënës të shkollës fillore janë duke u mjekuar në Klinikën Infektive, nën dyshimet se janë të helmuar nga ushqimi. Janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Fazliu.

Ndërkaq nëna e një nxënësi i cili është duke u trajtuar në QKUK, ka treguar për Telegrafin se fëmija i saj të premten pasi që kishte ngrënë në bufenë e shkollës, kishte pasur të vjellura dhe temperaturë të lartë.

“Që nga e premtja fëmija im është i sëmurë, jemi në spital. Ka ngrënë në bufenë e shkollës në pushim të gjatë. Fëmija është në ndërrimin e pasdites dhe pasi ka përfunduar orarin mësimor, në orën 19:00 të premten kanë nisur të vjellurat dhe ka pas temperaturë të lartë. E kemi sjell në spital dhe analizat i kanë dalë që ka të bëjmë me helmim”, ka thënë A.Q.

Ajo ka shtuar se askush nga personeli i shkollës nuk ka kontaktuar me ta për tu interesuar rreth shëndetit të nxënëseve.

Telegrafi ka provuar po ashtu të kontaktojë me personelin e shkollës, por të njëjtit nuk janë lajmëruar.

Ndërkohë mësohet se drejtori Betim Sylejmani është në takim me përfaqësuesit nga MASHT, për rastin e helmimit.

PostAdssFotoja e reklamës