Situata nga helmimi në Dibër po shkon drejt normalizimit. Gjatë natës së mbrëmshme deri tani në urgjencën e spitalit rajonal janë paraqitur rreth 15 raste ndërsa në pediatri rreth 10 raste me të njëjtat simptoma dhimbje barku dhe të vjella.
Zonat nga të cilat ata vijnë furnizohen me ujë të pijshëm nga ujësjellësi i Saponikës, ndaj dyshimet kryesisht janë tek kontaminimi i ujit të pijshëm.
Nga ana e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor janë marrë mostrat e ujit dhe kanë dalë analizat e para, ato mikrobike, të cilat kanë dalë pa ngarkesa. Ditën e sotme pritet të vijë përgjigjja e analizave bakterologjike të çuara për analizim në laboratorin kombëtar në Tiranë.
Që nga dita e djeshme institucionet kanë njoftuar banorët e Njësive Administrative Kastriot, Fushë Çidhën, Arras, dhe një pjesë e fshatrave të Njësisë Tomin që të mos e konsumojnë ujin, ose ta ziejnë atë para përdorimit, shkruan Abc News.