Mediumi “Kossev.info” raportoi të hënën për helmim të qenve gjatë fundjavës në Mitrovicën e Veriut. Gjithashtu publikoi fotografi të qenve të ngordhur rrugëve të qytetit.
I kontaktuar nga Gazeta Express zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, tha se për këtë çështje nuk është hapur rast në polici por do ta trajtojnë këtë informacion.
“Jo nuk është hapur rast, nuk kemi pas të raportuar diçka, por këtë informacion do ta trajtojmë”, tha Hoti.
Qenë të ngordhur janë gjetur në disa lokacione të ndryshme të trafikut në qytet, madje edhe pranë njërës prej shkollave fillore, ka njoftuar Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve “Šapa”.
Kjo shoqatë apelon qytetarët që të kenë kujdes sepse helmi i mbetur në rrugë nuk është i dukshëm si më parë, por është i pangjyrë. Ata gjithashtu treguan se kanë marrë informacione nga qytetarët që kanë pasur kontakt me helmin, se kanë vërejtur reagime të pazakonta në trup.