0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Helmi i këtij insekti riparon dëmet që i shkakton zemrës një atak kardiak

Një trajtim që mund t’i shpëtojë potencialisht jetën atyre që kanë pësuar një sulm në zemër, është zbuluar nga një burim shumë i habitshëm në pamje të parë: tek helmi i njërës prej merimangave më vdekjeprurëse në botë.

Një element i zhvilluar nga një molekulë e gjetur në helmin e merimangës së ishujve Frejzër, K’gari, mund të parandalojë dëmet e shkaktuara nga një sulm kardiak. Zbulimi u bë nga një ekip i udhëhequr nga dr.Natan Palpant, profesor Glen King nga Universiteti i Kuinslendit dhe profesor Peter Mekdonald nga Instituti i Kërkimeve mbi Zemrën.

Palpant nga Instituti i Bioshkencës Molekulare (IMB), tha se elementi i zbuluar ndaloi një “sinjal vdekjeprurës” që dërgon zemra pas një sulmi kardiak.” Pas një sulmi në zemër, rrjedha e gjakut në zemër zvogëlohet, duke shkaktuar mungesë të oksigjenit në muskujt e saj. Kjo bën që mjedisi qelizor të bëhet acid, dhe kjo çon në vdekjen e qelizave të zemrës. Pavarësisht dekadave të studimeve, askush nuk ka qenë në gjendje të zhvillojë një ilaç që e ndalon këtë sinjal vdekjeje në qelizat e zemrës, dhe kjo është një nga arsyet pse sëmundja e zemrës vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve në botë”-thotë dr.Palpant.

Ai testoi një proteinë të quajtur Hi1a, duke përdorur qelizat e zemrës njerëzore për të parë nëse ilaçi përmirësoi mbijetesën e tyre. “Proteina Hi1a e marrë nga helmi i merimangës bllokon kanalet e joneve që shkaktojnë aciditetin në zemër, ndaj në këtë mënyrë bllokohet edhe mesazhi i vdekjes. Vdekja e qelizave zvogëlohet, dhe ne shohim një përmirësimin të ndjeshëm dhe mbijetesën e shumicës së qelizave të tyre”- thekson ai.

Aktualisht nuk ka asnjë ilaçe në përdorim klinik që të parandalojë dëmet e shkaktuara nga sulmet në zemër. Profesor Mekdonald thotë se ky zbulim do të ndihmojë qindra mijëra njerëz që pësojnë një sulm në zemër çdo vit në të gjithë botën, por nga ana tjetër mund të rrisë numrin dhe cilësinë e donatorëve të zemrave, gjë që do t’u japë shpresë atyre që presin në listën e transplantove.

Profesori Mekdonald, që është gjithashtu një kardiolog i vjetër në Spitalin Sent Vinsent në Sidnei të Australisë shtoi:”Mbijetesa e qelizave të zemrës, është jetike në transplantet e zemrës. Trajtimi i zemrave me proteinën Hi1a, dhe zvogëlimi i vdekjes së qelizave do të rrisë gjasat e një transplanti të suksesshëm.

Zakonisht, nëse zemra e dhuruesit ka ndaluar së rrahuri për më shumë se 30 minuta para rikthimit në funksion, ajo nuk mund të përdoret. Dhe nëse mund të blejmë edhe 10 minuta shtesë kohë, kjo mund të bëjë diferencën midis dikujt që ka zemër dhe dikujt që i mungon”.

Zbulimi bazohet në studimin e mëparshme të profesor King, që identifikoi një proteinë të vogël në helmin e merimangës K’gari, e cila u pa se përmirësonte dukshëm shërimin nga goditja në tru.

”Ne zbuluam se kjo proteinë e vogël, Hi1a, e zvogëlon ndjeshëm dëmtimin e trurit edhe kur jepet deri në 8 orë pas fillimit të goditjes në tru. Ndaj kishte kuptim që të testohej edhe Hi1a në qelizat e zemrës, pasi ashtu si truri, edhe zemra është një nga organet më të ndjeshme në trup ndaj ndalimit të rrjedhës së gjakut dhe mungesës së oksigjenit.

Ne mendojmë që në të ardhmen Hi1a t’u jepet menjëherë viktimave të një sulmi në zemër, sapo ata mbërrijnë në urgjencë, dhe kjo gjë që do të ndryshonte vërtet gjendjen e zemrës së tyre”- tha ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img