Nënkrtyetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se është “tepër shqetësuese” se si Qeveria ka marrë disa vendime anti-kushtetuese gjatë dy viteve.
Haziri tha se Ekzekutivi po ashtu nuk ka zbatuar një numër të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Në 15-vjetorin e ratifikimit të Kushtetutës së Republikës, aktit më të lartë juridik të shtetit, fatkeqësisht e kemi një Qeveri që brenda dy viteve ka nxjerrë vendime anti-kushtetuese në disa raste dhe kjo është tepër shqetësuese”, shkroi Haziri në Facebook.
“Po ashtu, nuk kanë zbatuar një numër të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Politikbërësit duhet ta kenë Kushtetutën si udhërrëfyes për vlerat demokratike e parimet udhëheqëse, ndërkaq qytetarëve u garantohet liria me të drejta të barabarta për secilin”, shtoi ai.
Në fund Haziri përmendi thirrjen e njohur “nga koha e rezistencës dhe kryengritjes politike”.
“Nuk e harrojmë thirrjen gjithëpopullore nga koha e rezistencës dhe kryengritjes politike: Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë!”, shkroi ai.