Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri është deklaruar se brenda LDK-së nuk ka asnjë përçarje, madje tutje thotë se pakënaqësitë e fundit të shprehura nga anëtarët e Kryesisë janë më shumë për zhurmë politike, shkruan Gazeta Sinjali.
Por, ai nuk i konsideron aspak si qesharake, dhe se këto duhet diskutuar në organet e brendshme të partisë.
Haziri është kritik edhe për zyrtarë partiakë që kanë siguruar mandatin e deputetit, por që sipas tij, s’kanë sjellë asnjë votë përtej LDK-së. Mirëpo, ai nuk pranoi të flasë me emra se kush janë të njëjtit.
“Më së paku ai (Avdullah Hoti) është në pozitë të bëjë deklarata qesharake. Avdullah Hoti dhe shumica prej neve në LDK sillemi dhe punojmë si të përgjegjshëm, të urtë dhe të butë në qëndrimet tona, por të palëvizshëm dhe kokëfortë në bazë të parimeve politike që i kemi. Ne përfaqësojmë vlerat tona. Kjo është zhurmë politike dhe asgjë tjetër. LDK-ja ka nevojë me u mbështet dhe ruajt politikisht si organizim politik. Ne, disa, LDK-në e kemi si familje politike, sepse kemi qenë dhe jemi idealistë politikë të lidhur si kërthiza me LDK-në”.
“Kështu që në asnjë mënyrë nuk e pranoj zhurmën politike dhe s’lejoj me e konsumua LDK-në politikisht. Kërkesa për lidership të ri, çka nënkupton? Nëse zotëri Abdixhiku në mbledhje ka thënë se jeni të gatshëm me thirr Kuvendin, pse nuk u thirr Kuvendi? Çka nënkupton lidership i ri: kryesi e re e LDK-së, kryetar i ri LDK-së? Krejt është në rregull nëse duhet me dalë. Por në këtë proces politik, LDK-ja nuk pranon zhurmën politike për të na dërguar në një hendek ku janë disa që po e mbrojnë dikë dhe janë dikush që po e sulmojnë dikë”, tha ai për KosovaPress.