Site icon PrishtinaPress

Haziri: Në Vjenë mund të flitej edhe për Luginën, por amerikanët ishin kundër

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në Zona B të Klan Kosovës, ka përsëritur idenë e tij se problemi me Serbinë zgjidhet kur të qartësohet çështja e territorit.

Ai ka deklaruar se zhvillimet e fundit tregojnë se po shkojmë drejt zgjidhjes së këtij problemi, njofton Klan Kosova.

“Reagimi opozitar i konstruktuar, i ndërtuar, i artikuluar politikisht, i dhunshëm, e ka tërhequr zvarrë qeverinë drejt agjendës së opozitës – në vend se t’i jepet pak kohë për të punuar”.

“Për t’i zgjidhur problemet me Serbinë duhet të zgjidhet problemi i territorit. Kosova e Kushtetutës së vitit 1974 është lëkurë e ngushtë për neve sepse ka mbetur një pjesë e territorit jashtë. Besoj që zhvillimet që po ndodhin kohëve të fundit do të cojnë drejt një zgjidhje të problemit. Qysh në Vjenë ka qenë i mundshëm zgjerimi i diskutimit edhe për Luginën e Preshevës, por me insistimin e amerikanëve kjo gjë nuk ka ndodhur”.

“Serbia në Vjenë ka shkuar me platformë të parandalimit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Ata vazhdimisht kanë thënë se nuk mund të ketë dy shtete shqipfolës në Europë”.

Haziri ka deklaruar se ideja e tij nuk paraqet ndërrim territoresh, por rivijëzim të kufirit me Serbinë.

“Nuk ka parim të ndërrimit të territoreve. Është ripërshkrim i kufirit mes dy shteteve. Sepse në vitete e 50-ta Kosovës i janë marrë fshatra shqiptare në lindje dhe i janë bashkuar ato në veri, Zubin Potoku dhe Leposaviqi”.

Exit mobile version