Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se ka ardhur koha që Kosova të hyjë në fazën e normalizimit të pandemisë me Covid-19.
Në këtë kontekst, Haziri ka kërkuar që paralelisht me vaksinimin të fillojë edhe lehtësimi i masave anti-Covid
Megjithëkëtë, Haziri ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka guximin që të veprojë në këtë drejtim dhe se kjo qeveri nuk ka një plan mbi menaxhimin e pandemisë Covid-19.
“Kërkoj zbatimin e rekomandimeve të IKShPK-së, në anën tjetër qeveria e ka për obligim me i rishikuar. Ka ardhur koha me hy në fazën e normalizimit. Faza e normalizimit nuk është akt, por proces. Normalizimi nga pandemia është një proces i cili paralelisht me vaksinimin duhet të filloj edhe lehtësimi. Hapja e restoranteve, lejimi i ahengjeve dhe dasmave me kufizime dhe mbikëqyrje, rikthimi i teatrove, rikthimi i shikuesve në stadium me një numër të caktuar por në një numër shumë më të madh dhe besoj që do të jetë hapi i parë drejt normalizimit. Por kjo qeveri nuk e ka guximin me vepruar në këtë drejtim sepse edhe më tutje po shihet që nuk ka plan detaj mbi menaxhimin de drejtpërdrejt të pandemisë dhe realizimit të masave dhe kërkesave që kërkohen nga institucionet për ruajtjen e shëndetit publik”, ka thënë Haziri, duke u shprehur kritik për qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.
“Këtë e them nga përvoja pesë javore krahasim me fillim e pandemisë kjo qeveri. Qeveria Kurti 1 ka qenë shumë më efikase, më e zhurmshëm, më koordinuese në menaxhimin e situatës sesa këto pesë javë e këtij kabineti të dytë. Më shumë po merren me probleme të brendshme, me debat të brendshëm, me zhurmë politike e dhe me akuza të ndërjesllta duke marrë rolin defantis të mbrojtës së ministres, ministrit apo politikës të caktuar ditore se sa në menaxhimin me menaxhimin e proceseve e në veçanti me pandeminë”, ka thënë Haziri, duke shtruar se ka bashkëpunim me institucionet e Qeverisë Kurti, por kërkon që të ketë më shumë azhuritet për programet financiare dhe koordinim më të mirë të ministrave.