Site icon PrishtinaPress

Haziri i shqetësuar me draftin e Asociacionit: Më e pakta është niveli i tretë i pushtetit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga euro-amerikanët ka shumë probleme. Ai thekson se shqetësimet kryesore janë referimi i rezolutës 1244 në preambulën e dokumentit si dhe komisioni i arbitrazhit.

Sipas tij, më e pakta që mund të ndodh në bazë të këtij dokumenti është krijimi i një niveli të tretë të pushtetit dhe ndarja e brendshme e Kosovës. Megjithatë, Haziri potencon se Gjykata Kushtetuese duhet të jep verdiktin e fundit për përputhshmërinë e këtij drafti me Kushtetutën.

Haziri ka folur edhe për ftesën e presidentes Osmani ndaj partive opozitare për të diskutuar në lidhje me Asociacionin, zbatimin e marrëveshjes për targa, për energjinë si dhe për Kryesinë e re të LDK-së.

Duke komentuar deklaratat e ndryshme të krerëve të shtetit për draftin e Asociacionit, Haziri thotë se të njëjtit qëllimisht po bëjnë deklarime të ndryshme publikisht për të krijuar huti, mirëpo në thelb janë në një pozicion politik.

Sipas nënkryetarit të LDK-së, sekeuncimi i zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit po ndodh në teren. Ai përmend çështjen e targave të automjeteve dhe energjisë si fazë fillestare, teksa thotë se tani janë pritjet tek Qeveria sa i përket Asociacionit.

Ai shton se LDK-ja do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentes Osmani për të diskutuar në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sa i përket zgjedhjeve të fundit në LDK dhe kryesisë së re, Haziri thotë se janë zgjedhur njerëz në bazë të meritës dhe rezultateve për të ardhmen.

Duke komentuar kritikat e disa prej eksponentëve të LDK-së, siç është rasti me anëtarin Valon Murtezaj, Haziri thekson se njerëzit si ai ende janë të vlefshëm në LDK, por kontributin e tyre duhet të japin në pozicione të tjera brenda partisë./kp/

Exit mobile version