Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar zhvillimet e fundit globale por edhe ato që lidhen edhe me dialogun Kosovë-Serbi.
Haziri përmes një shënimi në Facebook ka thënë se duhet analizuar efektet negative të përplasjeve mes aktorëve global që prekin edhe vendin tonë.
“Sulmi i Iranit ndaj Izraelit përbën një situatë të re dhe gjendje lufte. Marrëdhëniet Kinë e Korea e Veriut po avancohen. Po ndërtohet boshti i të keqes. Lufta në Ukrainë me krejt tragjedinë e saj po vazhdon. Duhet të dënohet por të shihet sa keq po ndikon në Ballkan dhe për ne”.
I dyti i LDK-së ka thënë se duhet t’i gëzohemi faktit që rol në dialog pos treshes evropiane ka marrë edhe kryeministri Rama.
“Tashmë formati i dialogut në Ballkanin Perëndimor, ku prioriteti i parë është Kosova dhe Serbia, nuk është vetëm nën kujdesin e treshes së BE-së Scholc-Macron-Meloni, por edhe kryeministri Rama nga regjioni ynë ka marr rol kritik. Kjo ka rëndësi të madhe dhe duhet t’i gëzohemi”.
Ai ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e takimit Kurti – Macron në formatin që i pari i Elizesë u takua me Vuçiqin.
“Problemi mbetet që takimi i Presidentit Macron me homologun serb ka ndodhur dhe për herë të parë nuk kemi takim të kryeministrit Kurti në këtë format”.
Ai ka goditur në mënyrë indirekte Kurtin duke thënë se:
“Roli i SHBA-së dhe aleateve është demostruar me forcë para 25 vitesh. Luften e kemi fituar por sot paqen e kemi rrezikuar vetë ne. Ata që kanë harruar këtë, le ta shohin një pjesë të saj sot se çka do të thotë miqësi e përhershme me SHBA-të, të cilët e mbrojnë aleatin në çdo kohë dhe me krejt kapacatetet. Koha me pa drejt e krejt çka po ndodhë me Republikën tonë!”, ka shkruar Haziri.