Site icon PrishtinaPress

Haziri: Dialogu pa opozitën, do të dështojë

“Pa Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe pa forcat politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe ky proces i dialogut nuk mund të jetë i suksesshëm”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haziri , të dielën është zhvilluar takimi i radhës mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Si e shihni ju këtë fazë të dialogut, apo siç është quajtur, faza e finale e bisedimeve?

Lutfi Haziri: Ishte një rifillim i një procesi të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që në fakt e konfirmon atë mossukses në këto vitet e fundit, në veçanti prej vitit 2011 është biseduar në nivele të ndryshme me Republikën e Serbisë dhe që nuk është arritur asnjë sukses i dukshëm në këtë rrafsh për të cilin po bisedojmë. Po ashtu, ky rifillim i ri nuk është premtues shumë për faktin se nuk arritën tri kriteret që LDK-ja i parashtroi kur bëhet fjalë për kriteret udhëheqëse të bisedimeve:ndërtimin e një konsensusi sa më të gjerë politik në Kuvend, i cili do të dilte nga një debat i partive politike dhe, natyrisht, edhe një proces, i cili do të jetë i hapur dhe transparent për qytetarët dhe në mënyrë që një marrëveshje obliguese që pritet të dalë, ta ketë mbështetjen e shumicës politike në Republikën e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Cili mund të jetë kontributi i LDK-së në këtë proces dhe a mendoni se do të arrihet një konsensus për këtë fazë të dialogut?

Lutfi Haziri: Natyrisht që pa LDK-në dhe pa forcat politike në Kuvendin e Republikës, ky proces nuk mund të jetë i suksesshëm. Kështu që, edhe më tutje janë në fuqi këto kriteret që Kryesia e LDK-së në mbledhjen e 24 majit i ka konfirmuar dhe i ka bërë të qarta edhe për institucioneve vendore, edhe për partitë që qeverisin, dhe për presidentin edhe për shtetet e Quint-it dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, por që këto kritere në këtë fazë nuk janë përmbyllur dhe LDK-ja rri në kampin politik, duke e përcjellë dhe duke e monitoruar këtë proces si parti politike opozitare vetëm.

Radio Evropa e Lirë: Kush, sipas jush duhet të udhëheqë me bisedimet dhe si mund të arrihet konsensusi i brendshëm politik?

Lutfi Haziri: Shumë më të rëndësishme janë kriteret që janë vendosur nga grupi i Quint-it drejt partnerëve ndërkombëtarë, lidhur me këtë proces të ri të bisedimeve që pritet të çojë në një normalizim të marrëdhënieve. Dhe, më shumë do të thosha pritet që palët të mos e ngufasin njëra-tjetrën në proceset integruese, evropiane dhe euro-atlantike.

Ndërsa, procesi i normalizimit që çon drejt pajtimit, nuk e besoj se arrihet me këtë fazë të bisedimeve. Sido që të jetë, ne i kemi të qarta tri propozimet, apo tri kriteret që i ka vendosur LDK-ja, pa të cilat nuk ka alternativë që mund të zëvendësohen.

Ne presim një debat parlamentar që e përcakton formatin, pra kush është përfaqësuesi apo kush janë përfaqësuesit që përcaktojnë kriteret e bisedimeve apo i konfirmon kriteret nëse mund të themi tash, të bëhen transparent për publikun. Natyrisht, sa më i hapur procesi në këtë nivel që është, Kuvendi dhe roli i tij kushtetues do t’i jepte fuqi absolute, edhe delegacionit, edhe bisedimeve, dhe një marrëveshjeje eventuale, e cila pritet të ndodhë nga palët.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, presidenti Hashim Thaçi po vazhdon dialogun pa një konsensus politike?

Lutfi Haziri: Megjithatë, presidenti Thaçi po e shfrytëzon mekanizmin kushtetues dhe ky mekanizëm kushtetues i jep legalitet. Por, ne po flasim për një legjitimitet, i cili do të ndërtonte konsensus politik brenda partive. Faktikisht, ky mekanizëm është aktivizuar në raundin e parë apo takimin e parë të bisedimeve, por që edhe më tutje edhe si nevojë e oksigjenit politik domosdo do të ishte që të ndërtohet një konsensus sa më i gjerë politik dhe një Kuvend i Republikës, i cili mund, dhe duhet të ketë rol kushtetues, rol mbikëqyrës në këtë proces dhe në fund e merr edhe ratifikimin edhe vulosjen e këtij procesi. Në të kundërtën, pa LDK-në dhe pa partitë opozitare, procesi është i destinuar të dështojë.

Radio Evropa e Lirë: Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës vazhdon të funksionojë ngadalë duke u përballur në vazhdimësi me problemin e vendimmarrjes. Ku qëndron problemi, sipas jush?

Lutfi Haziri: Unë besoj se Kuvendi i Republikës tashmë i ka plotësuar kushtet që të hyjë në Librin e Ginisit (Guinness). Katërmbëdhjetë seanca i ka të ndërprera, fillon e rifillon seanca pa e përfunduar, pa votuar, pa kuorum, në një menaxhment dhe menaxhim jashtëzakonisht shqetësues dhe për ne, në fakt i bie edhe ofendues. Një kryetar i Kuvendit dhe një Kryesi e Kuvendit, e cila nuk e harmonizon rendin e punës, e cila nuk e çon deri në fund rendin e punës dhe nuk sjell vendimmarrje dhe e ka sjellë krejt Kuvendin e Republikës në pikëpyetje, jo vetëm për imazh të Republikës sonë, por edhe kredibiliteti ndërkombëtar i saj është zbehur dhe kredibiliteti i saj vendimmarrës po zbehet.

Dua të besoj që nuk është duke u bërë me qëllim, sepse nganjëherë përshtypja është se qëllimisht po devalvohet roli i Kuvendit të Republikës, për t’u forcuar institucionet e tjera, qoftë ai i Qeverisë apo Presidencës. Por, në këtë situatë opozita të vetmen arenë politike që e ka, e ka Kuvendin. Kuvendi duhet të jetë funksional dhe vërtet të mos hyjë në Libra të Ginisit (Guinness) për të keq.

Radio Evropa e Lirë: Sa është opozita e konsoliduar? Përveç kritikave verbale, edhe opozita nuk është parë shumë aktive me ide e propozime…

Lutfi Haziri: Ne kemi ngritur një numër të madh të çështjeve që kanë të bëjnë me shërbimet e qytetarëve dhe kur vjen në shprehje interesi i publikut lidhur me zbatimin e detyrave ligjore, edhe deri tek ajo që është rritje e pakuptimtë e pagave për zyrtarët, zyrtarët më të lartë të shtetit. Dhe, në mesin e dy çështjeve, ka shumë tema dhe shumë agjenda që ne i kemi iniciuar, por fatkeqësisht ose nuk shkojnë deri në fund që të diskutohen, të debatohen dhe të vendoset, ose devalvohen me kohë. Praktikisht, diskutohet jashtë kohës dhe rrethanave që LDK-ja ka kërkuar. Ne nuk kemi rrugë tjetër, pra po e konfirmoj për LDK-në e vetmja arenë është Kuvendi i Republikës. Aty do të diskutojmë, aty zëri ynë do të jetë i fuqishëm, aty zëri ynë do të jetë deri në fund. Dhe, natyrisht, që do të punojmë edhe në konsolidimin e opozitës.

Përtej LDK-së do të kemi mundësi të shohim ndërtimin e një kauze politike, prej LDK-së, e cila do të thotë gardian i demokracisë dhe demokratizimit të vendit tonë. Në të kundërtën, kjo që po ndodh dhe në këtë mënyrë se si po menaxhohet dhe po udhëhiqen disa nga institucionet tona, edhe proceset e rënda politike, vërtet jemi bërë shtet për t’u thirrur në probleme serioze të vetëqeverisjes. Ne kemi qenë zë kritikues për shembull i mënyrës se si Kombet e Bashkuara e kanë vlerësuar Kosovën. Ndërsa, tash, mënyrën me të cilën vetëpo menaxhojmë, jemi larg asaj dhe atij lloj administrimi që ka qenë ndërkombëtar në Kosovë. Ne duhet të zbatojmë një administrim dhe jo qeverisje autokrate, por duhet të zbatojmë qeverisje demokratike dhe rregullat e përgjithshme demokratike duhet të afirmohen në Kuvend. Atë që jemi duke e bërë tash, është jashtë, sado që është e brishtë në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Keni kërkuar dorëheqjen e kësaj Qeverie. Është përmendur çështja e një mocioni. Sa ka gjasa që opozita të ndërmarrë një hap të tillë?

Lutfi Haziri: Në fakt, nuk kemi të bëjmë me kërkesë politike për dorëheqje, ne kemi përmendur përmes instancave tona se Qeveria do t’i bënte mirë vendit që të dorëhiqej, sepse është pakicë politike në Kuvend. Por, ata nuk janë duke e dëgjuar thirrjen tonë. Me vetë faktin se janë pakicë politike, në mes të kësaj pakice, kanë edhe pakica kombëtare që janë të lidhura me agjenda jashtë Kosovës, qofshin ato në Beograd, në Ankara apo dikun tjetër, që po shihet deri vonë ka qenë nga jashtë Prishtinës.

E kam të qartë stabilitetin dhe disa probleme që kjo Qeveri i ka aktualisht, sidoqoftë janë pjekur kushtet për të diskutuar, disa oferta janë në tryezën e partive politike – ka të bëjë me ndërtimin e një agjende të përbashkët për të mos e penguar Kosovën që të ecë përpara dhe paralelisht të bisedohet edhe për një datë eventualisht të hershme të zgjedhjeve (ose mbledhjeve), e cila është interes i përbashkët, pra mundësisht të arrihet një konsensus.

Ende nuk është bërë as lista e agjendës, për shembull, integrimet evropiane, reforma tjera për BE, legjislacioni që lidhet me këtë proces të mekanizmit të Stabilizim-Asociimit, liberalizimi i vizave, krijimi i Ushtrisë së Kosovës dhe çështjet tjera që janë interes i përbashkët. Ne do të mund të punonim edhe me orare edhe me agjenda të përbashkëta. Ndërsa, një datë eventuale në fund, e cila i çon partitë politikë në një konsensus, do ta detyronte presidentin e Republikës që ta dekretojë, duke respektuar vullnetin e partive politike, në të kundërtën mekanizmi i mocionit është i mundshëm, është i hapur, por kur t’i vijë koha dhe ne, me të gjithë ata që janë të interesuar, natyrisht do të aktivizohet.

Exit mobile version