Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencë për media, ka apeluar të gjithë qytetarët që të mos kenë panik, të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin jashtë sepse Gjilani dhe e gjithë bota është në luftë me të panjohurën.
Haziri ka thënë se janë duke bashkëpunuar me kryetarët e komunave të tjera, dhe bëri thirrje që të gjithë qytetarët të qëndrojnë brenda në shtëpi.
“Në vlerësimet e hershme të ditës së 18-të me përballjen kundër Covid 19, së bashku me ekipet e emergjencës nuk kemi asnjë rast të ri apo të dyshimtë lidhur me rastin e mbrëmshëm të Topanicës, në Kamenicë. Jemi duke bashkëpunuar me kryetarët e Komunave të regjionit, për të ndaluar kontaktet dhe kjo është arsyeja për të cilën ju ftojmë për vetpërmbajtje dhe qëndrim në shtëpi. Ju lutemi rrini në shtëpi, vazhdoni të qëndroni me familjet tuaja, kujdesuni për të moshuarit dhe fëmijët”, ka tha Haziri.
Po ashtu, kryetari i Gjilanit ka thënë se ndërrimi i orarit të lëvizjes, nuk do të thotë se qytetarët mund të lëvizin pa arsye nëpër rrugë dhe ua kujtoi të gjithëve se situata është serioze.
Ai tha se gjatë këtyre ditëve do tu bëhet edhe testi i tretë familjes Shaqiri, duke shpresuar se rezultatet do të jenë negative.
“Largimi i masës së kufizimit të lirisë së qarkullimit nga ana e qeverisë për të drejtën tuaj që të lëvizni nga ora 06:00 deri në orën 17:00, nuk do të thotë që duhet të dal çdo qytetar pa arsye në rrugë, trotuare dhe vende publike. Gjendja është serioze dhe duhet të kemi durim maksimal për shëndetin tuaj dhe të familjes. Do të bëhet edhe testi i tretë, këtyre ditëve në familjen Shaqiri dhe shpresojmë shumë që në kuadër të kujdesit që ne e kemi pasur të rezultojnë testet negative dhe ta përballojmë situatën bashkërisht”, ka potencuar ai.
Haziri ka konfirmuar se Komuna e Gjilanit së bashku edhe me të gjitha institucionet e shtetit, atyre të shëndetësisë, sigurisë, zjarrëfikësve, komisionit komunal dhe një numri të madh të zyrtarëve, është e përkushtuar dhe e gatshme për intervenim për të dhënë shërbime në çdo kohë.
Ai tha se edhe nëse është puna te dokumentet, do të përkujdesen që ato të shkojnë në shtëpi të gjithsecilit që i kërkon, duke i lutur kështun qytetarët të qëndrojnë brenda.
“Për çdo shqetësim lidhur me ndonjë përkeqësim shëndetësor apo për mungesë të ushqimeve, luten që të kontaktohen ekipet kujdestare në numrat 112, 192, 193 dhe 194 dhe do të ofrohet shërbimi i ekipeve tona në shtëpitë tuaja. Nuk keni nevojë të dilni nga shtëpitë sepse dokumentet që ju i kërkoni, ua sjellim në shtëpi. E gjithë kjo është duke u bërë që të jeni të sigurtë dhe po punojmë që ta ruajmë shëndetin tuaj. Në këto raste të vështira të pandemisë që është duke kaluar vendi ynë dhe gjithë bota, ne jemi të përkushtuar maksimalisht që askush të mos mbetet pa bukë në sofër”, ka apeluar Haziri.