Ylli i Chelseat, Eden Hazard, ka thënë se fakti që Argjentina e Lionel Messit dhe Portugalia e Cristiano Ronaldos janë eliminuar nga Kupa e Botës e ka bërë atë të lumtur.
Anësori belg beson se shanset e ekipit të tij kombëtar për ta fituar Botërorin janë rritur me eliminimin e Ronaldos dhe Messit.
Ronaldo pati një fillim mahnitës në Rusi duke shënuar het-trik kundër rivalit, Spanjës.
Por, ylli i Real Madridit nuk mundi ta bëjë magjinë kundër Uruguait për ta shmangur humbjen e Portugalisë 2-1.
Ndërkohë, Messi e shfaqi vetëm një pjesë të potencialit të tij të klasit botëror në një kampanjë tjetër frusteruese të Argjentinës.
Belgjika do të përballet me Japoninë në Rostov sot në orën 20:00, dhe Hazard është i lumtur që nuk do të përballet as me Messin e as me Ronaldon.
“Për ne është shumë mirë, për ata keqardhje”, shpjegoi Hazard.
“Kur e doni futbollin, dëshironi t’i shihni lojtarët më të mirë. Megjithatë, kur garon kundër tyre, dëshiron t’i shohësh duke dështuar, në mënyrë që vetë të kesh mundësi më të mira për të fituar”, shtoi ai.