Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë sot se Komisioni Parlamentar për Shëndetësi në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka votuar pro që dokumentacioni i Ministrisë së Shëndetësisë me kontrata të nënshkruara me çmime abuzive, me dyshime për keqpërdorim të parasë publike gjatë kohës së pandemisë t’i dërgohen për hetim Prokurorisë së Kosovës.
Haxhiu në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se një ditë më parë deputetët e VV-së kanë ikur nga mbledhja e Komisionit në mënyrë që ta pamundësojnë votimin për ta dërguar lëndën në Prokurori.
“Mirëpo, sot, kuorumi ishte i mjaftueshëm për votim që dyshimet për keqpërdorime në Ministrinë e Shëndetësisë që drejtohet nga Arben Vitia të përfundojnë në Prokurorinë e Shtetit. Këto keqpërdorime kanë të bëjnë me disa tenderë të dhënë nga kjo ministri, e të cilët besohet se kanë qenë abuzues të parasë publike. Sipas raportimeve me çmime me të shtrenjta deri në 3500%. Kjo është arsyeja që kam ngritur dyshime që nga fillimi se MSh është duke abuzuar me paranë publike në kohë pandemie. Tani mbetet që këtë ta vërtetojë Prokuroria e Shtetit”, shkruan Haxhiu.