-2.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Haxhiu s’tërhiqet nga Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë – apel opozitës për përkrahje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka informuar për zhvillimet e fundit lidhur me Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gjatë një konference për media, Haxhiu tha se pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë ka reagur me urgjencë duke nisur adresimin e gjetjeve.

“Nuk kemi draftuar nje verison të ri, por kemi adresuar katër çështje që janë konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën sipas Gjykatës Kushtetuese”.

Ajo i bëri thirrje opozitës që ta përkrahin këtë ligj, raporton Paparaci.

“Sapo ti kemi deklaratat nga Ministria e Financave dhe Zyra e Kryeministrit që ndërlidhet me deklaratën financiare nëse ligji është në përputhje, ne do ta procedojmë sërish versionin me ndryshime Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Sipas njoftimeve që i kam nga kabineti nga zyrtarët përgjegjës, brenda kësaj jave do ti kemi dy deklarata dhe menjëherë do ta procedojmë në qeveri dhe më pas në kuvend. Është tejet e rëndësishme që të ketë unifikim në Kuvend për këtë ligj. Pas ndryshimeve që i kemi bërë, është e rëndësishme ta kemi mbështetjen e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës. I bëj thirrje Kuvendit, që ta mbështesin këtë version të ligjit”.

Më poshtë fjala e plotë e ministres: 

Qëllimi i kësaj konference është të informojë publikun për zhvillimet e fundit lidhur me Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 29 korrik 2024 në rastin KO46/23, Ministria e Drejtësisë ka reaguar me urgjencë, duke nisur adresimin e gjetjeve të Gjykatës. Përkushtimi ynë është që të garantojmë reformën në drejtësi, sundimin e ligjit, dhe pashmangshëm luftën ndaj korrupsionit, e në këtë mënyrë të krijojmë një funksionalitet ligjor që reflekton drejtësinë dhe  mbron interesin publik.

Siç është theksuar, një nga triumfet më të mëdha është konfirmimi se konfiskimi civil është kushtetues, duke e cilësuar si një instrument legjitim dhe proporcional për luftimin e korrupsionit në sektorin publik. Kjo është një fitore e qartë për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i fuqishëm për të gjithë ata që abuzojnë me detyrën zyrtare.

Më lejoni të sqaroj që ne nuk kemi draftuar të ri, por kemi adresuar vetëm 4 çështje të cilat janë konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën, sipas GJK.

Çështja e parë:

Adresimi i Retroaktivitetit të Ligjit

Çështja e retroaktivitetit të ligjit ka qenë një temë shumë e diskutuar dhe komplekse, e cila ka ngjallur debate të shumta. Gjykata Kushtetuese nuk e ka kundërshtuar parimisht retroaktivitetin e ligjit, duke lejuar aplikimin e tij në rastet kur kjo është në interesin publik dhe respekton parimin e proporcionalitetit. Megjithatë, sipas GJK, shtrirja e gjatë kohore e retroaktivitetit mund të krijojë sfida për palët e përfshira, duke i vendosur ato në një situatë të pamundësisë objektive për të siguruar prova për justifikimin e prejardhjes së pasurisë.

Në këtë drejtim, ndryshimi i ri ka përfshirë konceptin e “pamundësisë objektive” si një element kyç procedural, i cili ofron një mekanizëm mbrojtës për ata që nuk mund të sigurojnë prova për shkak të kalimit të kohës ose faktorëve të tjerë objektivë. Kjo qasje e re ndihmon në garantimin e një procesi më të drejtë dhe më të qartë për të gjitha palët e përfshira në procedurën e konfiskimit.

Ccështja e dytë:

Qartësia e Periudhave Kohore për Verifikimin e Pasurisë

Gjykata Kushtetuese ka theksuar nevojën për qartësi dhe parashikueshmëri në lidhje me periudhat kohore brenda të cilave Byroja Shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar. Ndryshimet e reja në draftligj sigurojnë që periudha e verifikimit të pasurisë të lidhet vetëm me periudhën kur zyrtari publik ka qenë në funksion, duke lejuar përjashtimisht zgjatjen e verifikimit për pesë vite pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik, nëse vlerësohet se pasuria është dukshëm më e lartë se të ardhurat e ligjshme. Kjo masë siguron një balancë të drejtë mes mbrojtjes së të drejtave të individit dhe detyrimit për të luftuar korrupsionin, duke garantuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se abuzimi me pushtetin publik do të ndiqet pa kompromis.

Ky përcaktim siguron një kornizë ligjore të qartë, e cila shmang pasigurinë dhe arbitraritetin në zbatimin e ligjit, duke mbrojtur zyrtarët publikë nga hetime të pafundme. Ministria e Drejtësisë do të sigurojë që zbatimi i ligjit të jetë i drejtë, transparent dhe në përputhje me parimet kushtetuese.

Çështja e tretë:

Komisioni Mbikëqyrës dhe Ndarja e Pushteteve

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar që kompetencat mbikëqyrëse të Komisionit Mbikëqyrës nuk janë antikushtetuese, por ka identifikuar nevojën për ndryshimin e përbërjes së tij për të respektuar parimin e ndarjes së pushteteve.

Versioni i ri ka ristrukturuar Komisionin Mbikëqyrës, duke përfshirë tre anëtarë të emëruar nga Kuvendi, Drejtorin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Drejtorin e Njësisë së Inteligjencës Financiare.

Ky ndryshim synon të garantojë një mbikëqyrje të pavarur dhe të paanshme, duke respektuar standardet kushtetuese dhe duke siguruar që veprimet e Byrosë të jenë transparente dhe të drejtë. Pavarësia e institucioneve është thelbësore për ruajtjen e integritetit të proceseve ligjore dhe për forcimin e shtetit të së drejtës.

Në fund më lejoni t’ju njoftoj se sa të pranojmë deklaratat nga Ministria e Financave dhe Zyra e Kryeministrit, e që besoj brenda kësaj jave, do ta dërgojmë në Qeveri versionin me ndryshime të  draftligjit dhe në këtë rast meqë Kuvendi pas pak ditëve fillon sesionin vjeshtor, i bëjmë thirrje që ta votojë sa më parë dhe pa vonesa duke pasur parasysh qëllimin e tij.

Ministria do të ofrojë mbështetjen e saj të vazhdueshme për grupin punues për finalizimin e amendamenteve të nevojshme, duke siguruar përputhshmëri me Opinionin e Komisionit të Venecias dhe standardet kushtetuese.

Miratimi i këtij projektligji është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit në vend, andaj, jam e bindur  që jemi në rrugë të drejtë, të sigurtë, dhe për kundër pengesave e sfidave gjatë rrugës po ecim drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës së korrupsionit të pa kompromis.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img