Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu është deklaruar lidhur me akuzat e ish-emisarit Richard Grenell në adresë të Albin Kurtit.
Ish-ambasadori amerikan ka akuzuar Kurtin si antiamerikan dhe njeri që punon për zhbërjen e shtetit të vet.
Këto akuza, Albulena Haxhiu në Prime Time të Kanal 10 i ka quajtur si diçka që nuk është e re për publikun.
“Akuzat e Grenellit nuk janë risi. Është e drejta e tij të shprehet si mendon. Deklaratat e tij nuk kanë ndikuar te qytetarët e Kosovës dhe nuk kanë pasur ndikim”, u shpreh ish-ministrja e Drejtësisë.
Ardhja e Joe Biden në krye të shtetit amerikan për Albulena Haxhiun është një ndryshim pozitiv sa i përket qasjes së Uashingtonit zyrtar ndaj Kosovës në krahasim me ish-administratën e Donald Trump, dhe se menjëherë pas formimit të Qeverisë së re do të vendosen kontaktet e para me administratën Biden.
Duke folur rreth asaj se dialogu është zhvendosur si prioritet i katërt i Qeverisë Kurti 2, Haxhiu ka thënë se Kosova ka probleme më të rëndësishme për t’i adresuar sikurse papunësia dhe sistemi i drejtësisë.
“Dialogu nuk do të jetë prioritet i parë i Qeverisë Kurti, pasi qytetarët përballen me mungesë të drejtësisë dhe problemin e papunësisë, duke vendosur kështu dialogun në prioritet të katërt. Ne kemi shumë probleme dhe nuk mund të merremi vetëm me dialogun me Serbinë. Dialogu i deritanishëm nuk ka prodhuar rezultate të mira për Kosovën dhe shumë prej tyre duhet të rishikohen dhe të tërhiqemi, si marrëveshja e Zajednicës. Nuk duhet të ketë marrëveshje për çështje të brendshme të Kosovës dhe nuk mund të arrijmë marrëveshje (gjithëpërfshirëse) për të kënaqur Serbinë. Do të kemi strategji të qartë për dialogun dhe do të kemi kërkesa për Serbinë, si dëmet ekonomike, personat e pagjetur”, ka thënë Haxhiu.