Site icon PrishtinaPress

Haxhiu: Qeveria Kurti nuk ka asnjë ministër a zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas përplasjeve që ndodhën mes deputetësh, në Kuvendin e Kosovës.

Ajo mes tjerash, mohon se Qeveria Kurti ka ministër apo zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi, për çka dhe pasuan reagimet e deritashme të opozitës parlamentare.

Madje ajo thotë se grushtet që u panë gjatë seancës, ishin sulme të organizuara ndaj Qeverisë së Kosovës.

”Sulmet e organizuara ndaj Qeverisë së Kosovës sot u manifestuan edhe me grushta në drejtim të ministrave të kësaj Qeverie.

Nuk do mend për të kuptuar se të tillët dëshpërimisht hedhin grushte, pasi që të njëjtët po përballen e do të përballen me ligjin, për të gjitha krimet dhe korrupsionin e po ashtu pasurimin e tyre të jashtëligjshëm.

Qeveria Kurti nuk ka asnjë ministër a zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi. Ata që nxitën dhe ndihmuan për kaq vite krimin e organizuar në veri, si Lista Srbska nuk janë në koalicion siç ndodhte me qeveritë e dikurshme. Madje krerët e tyre po hetohen nga institucionet e drejtësisë, e bashkëpunëtorë të tjerë të këtyre strukturave po arrestohen në veri të Mitrovicës.

Një sërë hapash janë ndërmarrë drejt shtrirjes së sovranitetit e ligjvënies në veri të vendit, atje ku pushtetet e kaluara kishin lejuar madje edhe amnistuar krimet e strukturave paralele serbe për vite me radhë.

Rrugët alternative të krimit dhe kontrabandës u ndërprenë nga Policia e Kosovës. Baza të shumta të policisë u krijuan atje, me qëllim të vënies së rendit ligjor në atë pjesë.

Dhuna ndaj ministrave vjen si pakënaqësi e këtij rezultati, ku edhe biznesmenët e bashkëpunëtoret e tyre po pësojnë dukshëm.

Grushtat e atyre që janë pasuruar në kurriz të popullit tentojnë të godasin Qeverinë e cila po i dobëson seç herë e më shume banditët e tillë.

Policia po arreston edhe ata që kanë ndihmuar grupet banditeske, por sjellja e disa deputetëve të PDK-së tregon se kjo sikur po iu pengon.

Megjithatë, rendi dhe kushtetushmëria nuk ndalen, dhe këtë e garanton populli i Kosovës, dëshmitarë të veprimeve të gjithësecilit.

Mbesim të përkushtuar për drejtësi, dhe për zbatim të ligjit pa dallim, edhe ndaj atyre që kanë dëmtuar shtetin dhe shoqërinë, atyre që janë pasuruar padrejtësisht.

Drejtësia do të veprojë edhe më shpejtë se që mund të kenë menduar ata!”.

Exit mobile version