Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk ka pasur skandale deri më tani.
E pyetur edhe për ish-prokurorin Elez Blakaj dhe arsyen pse ai nuk është kthyer në Kosovë, pasi që kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës kishte deklaruar se nëse VV-ja vjen në Qeveri, atëherë “shkon Lumezi, vjen Elezi”, Haxhiu ka thënë se i bën ftesë të hapur Elezit që të kthehet e të kontribuojë në Kosovë.
“Kurti e ka adresuar atë si simbol me kuptimin që me Qeverinë tonë nuk do të ketë prokurorë që do të kenë presion ose që do të detyrohen të ikin nga Kosova. Ne i mbështesim fuqishëm në çfarëdo nevojë që kanë prokurorët. Nuk ka raste të tilla në qeverinë tonë, nuk ka skandale në qeverinë tonë, në qeveritë e kaluara çdo javë ka pasur skandale. Mos ma merr ti qeben e ‘joystickat’ si skandale”, ka thënë Haxhiu në Kanal 10.
Ministrja Haxhiu ka refuzuar të komentojë deklaratat e deputetit të PDK-së, Ardian Kastrati, e cili e cilësoi Qeverinë Kurti si “Qeveri të skandaleve”.