Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas padisë që ia bëri deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra, duke e pyetur se a e ka paditur për të vërtetën.
Haxhiu paralajmëroi se do ta bëjnë publik raportin financiar i cili dëshmon që Deliu – Kodra, sipas saj, ndonëse nuk kishte qenë pjesëmarrëse në shumicën e mbledhjeve të Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ishte paguar për këtë në mënyrë të paligjshme.
“Para disa javëve, për këtë e kam njoftuar me shkrim Kryetarin e Komisionit për Legjislacion dhe po ashtu kam folur publikisht. Në fakt veprimi i duhur do të ishte kthimi i mjeteve që i ka përfituar paligjshëm”, shkroi Haxhiu.
Kujtojmë se Haxhiu pati thënë se Deliu – Kodra ka marrë mëditje rreth 2 mijë euro ndonëse nuk kishte shkuar në mbledhjet e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Për këtë, Deliu – Kodra sot ka bërë të ditur se ka ushtruar padi ndaj Haxhiut për, siç tha ajo, shpifje dhe të pavërteta.