Ministrja në dorëheqje e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas ndryshimeve të fundit në Kodin e Procedurës Penale, është mundësuar aplikimi i gjykimit në mungesë edhe në rastet e veprave penale të natyrës së rëndë.
Sipas Haxhiut, këto ndryshime mund të aplikohen edhe për sulmin terrorist në Banjskë, teksa shtoi se certifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit ka qenë gabim i rëndë dhe i pafalshëm, pasi sipas saj, kryetar de facto i saj është kryeterroristi Millan Radoiçiq.
“Pavarësisht kësaj mundësie ligjore, s’ka dyshim që vlera e dobia janë të shumëfishta kur kryeterroristi Millan Radojiçiq dhe 44 paramilitarët e tij, të dorëzohen në Republikën e Kosovës dhe të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë”.
“Millan Radojiçiq është kryetar de facto i Listës Serbe. Kjo u bë edhe më e qartë kur kryetari formal i saj, Zlatan Elek, u radhit si i shtati me numrin e votave në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe, pas marrjes së mandatit të deputetit, e detyruan të jap dorëheqje. Çertifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit ka qenë një gabim i rëndë dhe i pafalshëm”, tha Haxhiu, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ajo tha se saktësisht dy vjet më parë, më 22 prill 2023, në paradën e Ushtrisë së Serbisë në Batajnicë, krahas Radoiçiqit ishin të pranishëm edhe dy deputetë të Listës Serbe, Igor dhe Sllavko Simiqit si dhe kreytarët Dalibor Jevtiq dhe Goran RAkiq.
“Atë ditë po ekspozohej edhe sistemi kinez FK-3, pikërisht në vendin ku janë ekshumuar 744 shqiptarë nga varreza masive. Këto fakte dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimin e strukturave të Listës Serbe në sulmet terroriste dhe kundër rendit kushtetues në Kosovë. Millan Radoiçiq & Co. duhen gjykuar në Kosovë me ose pa ekstradim, sa më parë”, tha ajo.