Site icon PrishtinaPress

Haxhiu: Opozita s’do të çlirohet sistemi i drejtësisë nga kapja e tyre

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka deklaruar se opozita po do të mos e çlirojë sistemin e drejtësisë nga kapja.

“Ata po duan që mos ta çlirojnë sistemin e drejtësisë nga kapja e tyre. Si kanë vepruar ata dhe si tentojnë ta mbajnë të kapur sistemin e drejtësisë, ne e kemi parë”.

“E mira e Qeverisë tonë është që ne e dimë qysh duhet mos me funksionu sistemi i drejtësisë me urdhra prej politikës, qysh nuk duhet me u thirrë prokurori, qysh nuk duhet me u thirrë gjyqtari në telefon, me i thanë vendos kështu, vendos ashtu, qysh nuk duhet me u ndërhy në procese të rekrutimit. Pra, na e dimë qysh s’duhet me funksionu, pra na e dimë qysh kanë vepru ata”, ka thënë Haxhiu në KTV.

Ajo ka deklaruar se shumica e reformave në sistemin e drejtësisë duket se po hasin në rezistencën e opozitës.

“Duket që kanë shumë interesa të mëdha brenda sistemit të drejtësisë që tanimë po tentojnë që ta përdorin Gjykatën Kushtetuese për t’i penguar këto. E kuptoj, edhe një herë po e sqaroj që kanë të drejtë të dërgojnë reforma në Gjykatën Kushtetuese, por nuk ish dashtë reforma që ndërlidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve me i pengu kësisoj”, ka theksuar Haxhiu.

Lidhur me Ligjin për KPK-në, ka thënë se kanë pasur tri opinione të Komisionit të Venecias, ku në të dytin kishin marrë dritën e gjelbër.

“Ju e dini që kemi pas dy herë radhazi opinione të Venecias në raport me këtë ligj, dhe i fundit ishte i treti, ky në dhjetor të vitit 2023, ku ne në dy versionet e para për KPK-në ku kemi konsideruar ulje të numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial ne kemi marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias”.

“Pra, në opinionin e fundit të Komisionit të Venecias, të dytin në fakt për ulje të anëtarëve të Këshillit Prokurorial, ne kemi marrë dritën e gjelbër, me justifikimin që për hir të reformave mund të ndërpritet mandati para kohe i anëtarëve të Këshillit, duke qenë që ata përfundojnë mandatin në janar të 2026-ës”, ka deklaruar Haxhiu.

Mirëpo, sipas saj iu është thënë që mund t’i lënë disa prej tyre dhe ata kanë lënë tre, e që procedura të bëhet përmes shortit. Por, ky Ligj u dërgua në Kushtetuese nga opozita.

“Ndonëse kishim dy opinione të Komisionit të Venecias që mbështesnin reformën në Këshillin Prokurorial, që konsideroj që pas Vettingut është një ndër reformat më të rëndësishme, duke pas parasysh problemet që kemi sidomos me Këshillin Prokurorial që s’ka madje, as nuk duket diku në horizont diku një fije shprese që do të përmirësohen kështu me veprime të vetat, pa ndonjë reformë”.

“Pra nuk ka shpresë që do të reformohen pa reformë ligjore apo kushtetuese. Në këtë drejtim, opozita e kishte dërguar dhe kemi pritur 9 muaj që Gjykata Kushtetuese ta nxjerrë aktgjykimin në raport me Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe edhe përkundër që ne kemi marrë opinionin pozitiv nga Venecia, gjykata nuk i kishte përfillë sepse kishte konsideru që nuk mundeni me ua ndërpre para kohe mandatin anëtarëve të Këshillit Prokurorial”, është shprehur Haxhiu.

Ajo ka shtuar se kanë qenë të detyruar ta zbatojnë vendimin e gjykatës, ndërsa theksoi se gjykata kishte vlerësuar se ishte evidente korporatizmi dhe se është e rëndësishme të krijohet balanci brenda Këshillit Prokurorial.

Haxhiu ka thënë se meqë s’kishin mundësi t’ua ndërprenin mandatin anëtarëve të Këshillit, atëherë për eliminim të korporatizmit vendosën të rrisnin numrin e anëtarëve të Këshillit, ani pse nuk e ka mbështetur, por ishte e vetmja formë për ta ndërtuar balancin dhe eliminuar korporatizmit.

Ajo ka theksuar se në dhjetor kanë marrë opinionin e tretë të Venecias, ku sipas saj ata theksojnë se problemin më të madh e ka shkaktuar vetë Gjykata Kushtetuese, që nuk ka lejuar ndërprerje të mandateve.

“Në këtë drejtim, Venecia ka sugjeruar që të vazhdojmë me reformën në Këshillin Prokurorial përmes 7 anëtarëve, siç është versioni i përhershëm edhe në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe ka konsideruar që nuk është adekuate të rritet numri i anëtarëve të Këshillit”, ka deklaruar Haxhiu.

Exit mobile version